5 Shtator, 2025 - 12:23 pm
“Lejleku”, filmi artistik me metrazh të gjatë nga regjisori i njohur Isë Qosja është përcjellë me probleme në festivalin “Dzada Fest” që po mbahet së fundi në Podgoricë të Malit të Zi, shkruan KultPlus.
Filmi është ndëprerë pas incidentit të krijuar nga disa të rinj, të cilët nuk kanë duruar që në këtë festival të shfaqet një film në gjuhën shqipe. Si pasojë, në këtë incident ka reaguar edhe policia.
E filmi “Lejleku” që pengoi një grup të njerëzve në Podgoricë, rrëfimin e ka të shtrirë pikërisht në këtë shtet, në vendlindjen e regjisorit Qosja, që në një intervistë më të hershme pat deklaruar se këtë film e ka bërë me zemër, sepse ia ka dedikuar vendit të tij të lindjes.
“Gjithçka që vjen nga pikëpamjet primitive të nacionalizimit ekstrem serb, nuk paraqet befasi për mua. Jam i bindur që gjuha e filmit është gjuhë e shenjtë e një populli dhe nëse kjo i bën të vuajnë, do të vuajnë përjetë. Ne gjithmonë do të flasim shqip, do mendojmë shqip dhe do të veprojmë shqip…Edhe kur filmi flet me gjuhën e artit”, ka thënë Isë Qosja për KultPlus.
Filmi “Lejleku” është prezantuar premierë vitin e kaluar në PriFest në Prishtinë, dhe në këtë film me rolet e tyre janë paraqitë: Arta Dobroshi, Donat Qosja, Shkumbin Istrefi, Arben Bajraktaraj, Flonja Kodheli, Doresa Rexha, Mirush Kabashi, Kumrije Hoxha, Zyliha Miloti, Luan Jaha, Selman Jusufi, Safete Rogova, Gentian Anastasi, Besa Tusha./ KultPlus.com