Pas suksesit të filmit ‘Në kërkim të Venerës’ flet regjisorja: Ky çmim ka një rëndësi të madhe për mua

8 Shkurt, 2021 - 2:29 pm

Suada Qorraj

“Në kërkim të Venerës”, filmi i parë kosovar që mori pjesë në një ndër festivalet më të mëdhenj ndërkombëtarë, nuk u kthye duar bosh. Filmi i metrazhit të gjatë i regjisores Norika Sefa u shpërblye me çmimin special të jurisë (Special Jury Award) në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve të Festivalit të Roterdamit, duke shënuar kështu një sukses të jashtëzakonshëm për vetë filmin dhe regjisoren Norika Sefa, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus regjisorja ka thënë se marrja e këtij çmimi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për të sepse vetë festivali bazohet më shumë tek lloji i filmit dhe jo narracioni.

“Çmimi ka shumë rëndësi sepse festivali synon inovacion në formën e filmit dhe nuk është narracion, pra bazohet më shumë në llojin e filmit, por edhe tek regjisorët që për herë të parë kanë bërë diçka. Dhe ky është filmi im i parë i metrazhit të gjatë prandaj edhe marrja e këtij çmimi ka një rëndësi të madhe për mua”, ka thënë ajo

Norika tutje pohoi se sikur festivali të mbahej në formën fizike do të kishin mundësinë që të dëgjonin edhe reagimet e para të audiencës. Por sipas saj organizatorët e festivalit janë përpjekur që të krijojnë një ndjenjë të tillë edhe në formatin online sepse gjatë tërë kohës ju kanë përshkruar reagimet e bëra në festival.

“Nëse do mbahej në formën fizike çdo gjë do të zhvillohej në prani të një audience dhe do të kishim mundësinë që ti dëgjonim edhe reagimet e para. Mirëpo festivali është munduar që të krijoj një atmosferë të tillë edhe në formatin online sepse gjatë tërë kohës ata janë munduar që të na përshkruajnë dhe të na incizojnë ato reagime”, tha Sefa në një prononcim për KultPlus.

‘Në kërkim të Venerës’ i morri regjisores pesë vite kohë deri në përfundimin e tij. Mirëpo edhe skenari ka pasur një procedurë të gjatë deri në finalizim sepse skenari nuk ka formën klasike të të shkruarit sepse ka synuar që të kap një energji në secilën skenë.

“Filmi është xhiruar në Kaçanik dhe unë kam vendosur që e tërë ekipa të shkojë dhe të jetoj në Kaçanik në mënyrë që të ambientoheshin me vendin dhe kjo përfshinte një proces në vete”, ka rrëfyer tutje regjisorja.

Krejt në fund Sefa ka treguar se filmi do të udhëtoj edhe në shumë festivale tjera mirëpo sipas saj ato do të bëhen publike me kohën.

Filmi na flet për një një takim të çuditshëm, ku Venera e ndrojtur nis të vë në dyshim familjen e saj patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxit kureshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë. Derisa Venera përsiatet për kuptimin e jetës, filmi gradualisht shprehë një sens absurd të jetës: Me njerëz që fshehin një botë me emocione – nga poshtërimi, faji e zhgënjimi. “Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi të puthen” – thotë Venera.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Monolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. Me drejtor të fotografisë – Luis Armando Arteaga, montazhë – Stefan Stabenoë, skenografi – Arben Shala, zërim – Risto Alchinov, kostumografi – Desantila Lika, dhe grim – Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” me producent Besnik Krapin është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Regjisorja Norika Sefa

Të ngjajshme