‘Pasojat’ e të qenit LGBT

19 Korrik, 2019 - 4:00 pm

Sarandë Rugova

‘Consequences’ (Pasojat) është filmi i cili trajton një tematikë të ndjeshme për shoqërinë sllovene, të drejtat e LGBT-së, një realitet shoqëror i cili ende nuk pranohet me një këndvështrim pranues në Slloveni, shkruan KultPlus.

‘Consequences’ është realizuar nga regjisori i ri slloven Darko Stante, i cili po ashtu ka shkruar skenarin e filmit bazuar me disa përvoja të tij që i ka hasur në punë, do të thotë të drejtat e LGBT të cilat nuk janë të rregulluara mjaftueshëm ashti siç do duhej të jenë.

Andaj, edhe gjatë realizimit të filmit ka hasur në vështirësi të ndryshme, puna me aktorët nuk ka qenë edhe aq e lehtë sipas Stante, mirëpo ata e kishin pranuar rolin pa hezitim.

‘Puna me aktorët ka qenë vështirësia më e madhe gjatë realizimit të filmit. Unë kam vendosur që aktorët të jenë amator, jo profesionist. Një agjenci kastingu i ka zgjedhur ata, ndërsa pjesa më e rëndësishme ka qenë për t’i pyetur se a e kanë problem të luajnë rolin e një pjesëtari të komunitetit të LGBT-së, do të thotë për tu puthur me një mashkull tjetër dhe kjo ka qenë shumë e pranueshme për ta’, rrëfeu Stante.

Në shoqërinë sllovene ende ekziston një lloj paragjykimi për komunitetin LGBT, andaj rrugëtimi realizues i projektit të cilin kishte vendosur që ta dërgoj deri në fund ka qenë i vështirë por jo edhe i pamundur.
‘Kur kërkonim lokacione dhe u tregonim skenarin i cili do të implementohet në teren ata e merrnin si diçka që do të ndodhë në jetën reale, andaj hezitonin. Lokacioni i zgjedhur në film janë kampet e studentëve’, theksoi Darko Stante.

Në këtë film trajtohen dy tematika, tema e drogës e cila nuk është problem vetëm në Slloveni, por kudo në botë. Mirëpo, ajo që shihet si problematike janë të drejtat e LGBT-së.

‘Për këtë skenar kam vendosur vet unë sepse të drejtat e LGBT-së në Slloveni duken që janë normale, por kjo është vetëm në aspektin formal. Ka ende habitshmëri sidomos në Lubjanë, kur e shohin një mashkull duke ia mbajtur dorën mashkullit tjetër. Andaj, ky film ka qenë një goditje për qytetarët, të cilët kanë ardhë në kinema për ta shikuar filmin dhe kanë dalë në gjysmë. Madje njëri në gjuhën serbe kishte përdorur fjalë fyese, dhe kjo duket qesharake por njëherit edhe tragjike’, rrëfeu regjisori i filmit ‘Consequences’.

Filmi ka pasur sukses të madh nëpër disa vende të ndryshme të botës ku është shfaqur dhe vazhdon të shfaqet. / KultPlus.com

Të ngjajshme