“Pergjithmonë” me kujtimet për Blerim Pecin

9 Dhjetor, 2018 - 8:54 pm

Gili Hoxhaj

Shumë nga familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët mbushën fletët e bardha të librit që qëndronte në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Aty janë shtrirë kujtimet ndër vite, e malli që është mbledhur tash e një vit pa aktorin Blerim Peci.

Nën patronatin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi sonte u mbajt akademi përkujtimore në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të aktorit Blerim Peci, shkruan KultPlus.

Jeta e tij që nga komunikimi me fëmijët, e deri tek raportet me shumë miq e bashkëpunëtorë erdhën sot të përmbledhur në një dokumentar të titulluar “Përgjithmonë”. Ky dokumentar me autore Aferdita Sopjani-Peci e regji të Kastriot Kaqa Saqipit, prodhim i Radio Televizioni i Kosovës RTK, përmes kujtimeve të bashkëpunëtorëve të tij shpalosë jetën e Pecit që nga bankat e shkollës, hapat e parë në botën e aktrimit, depërtimin në televizion dhe punën e tij në ndërmarrjen “Trepça”.

Momente nga paraqitjet e tij në televizion, veçmas në në shown televiziv komedik, “Show Meselation” dhe në shown satirik të televizionit publik të Kosovës, RTK, “Vikendi”, bën që të pranishmit ta kujtojnë Pecin mes lotëve e të qeshurave.

Ministri Kujtim Gashi tha se aktivitetet e Pecit do të mbetën përjetësisht të freskëta në kujtimet e të gjithëve dhe do të jenë inspirim për të gjithë aktorët. Gashi tha se më 9 dhjetor 2017 ata humbën një mik, e publiku një aktor shumë të mirë.

“Sot po përkujtojmë njëvjetorin e vdekjes së të afërmit tuaj dhe ish miku tonë. Kujtimet tona do dhe të publikut për ta njohur Blerimin filluan në shfaqjen e tije briliante në projektin ‘Thyerja’. Nga këtu fillon publikimi i talentit të tij dhe njohja me e gjëë e publikut me Blerimin. Duke mbaruar fakultetin në Akademinë e Arteve, te profesor Enver Petrovci, pa dyshim talenti i tij i lindur, kurorëzohet edhe me dijen profesionale, e cila rezulton me shfaqje cilësore të cilat i dhanë emër të pranueshëm për publikun e Mitrovicës, të Kosovës dhe gjithë shoqërisë shqiptare”, ka thënë Gashi në fjalën e tij.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala theksoi se për nder të veprave e vlerave që Peci ka pasur, RTK ka përfshirë emrin e Blerim Pecit në njërin nga çmimet të cilin do ta ndajnë për personalitetet që kanë dhënë kontribut në botën e televizionit.

“Ajo që dua ta them sot se tash një vit nga ndarja me Blerim Pecin veçse vërehet mungesa e tij, vërehet për shkak të emisioneve të veçanta, zhanrit të veçantë dhe roleve të tij të veçanta”, u shpreh Shala sot në akademinë përkujtimore të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovs.

Skenaristi Skënder Sadiku, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Blerim Pecit në shumë projekte si “Kabare teatër”, “Show meselation”, e emisionit “Vikendi” e shumë projekte të tjera. Sadiku tha se Blerim Peci me sukses e kreu misionin e tij prej artisti, duke u rebeluar dhe duke i bërë njerëzit të qeshin.

“Secila kohë kërkon dhe i gjen heronjtë e vet, kur Kosovën e kaploi dhuna e paparë si në aspektin fizik dhe atë shpirtëror, aparteidit, vuajtjes, mjerimit, varfërisë, Beli iu përgjigj me rebelim artistik. Secila kohë e lyp qasjen e vetë. Secilës kohë dhe shoqëri i duhen njerëz, të cilët do të japin më shumë, do të rrezatojnë pozitivisht në negativitetin e skajshëm” ka thënë Sadiku, duke shtuar se Peci me veprimtarinë e tij ndau fatin e qytetit të Mitrovicës e të Kosovës.

Bashkëshortja e artistit Blerim Peci tregoi se nuk e kishte pasur të lehtë realizimin e dokumentarit dhe se kishte dyshuar nëse do kishte forcë për realizimin e tij, gjë që ia arriti me insistimin e regjisorit Saqipi. Ajo sonte tha se nëse ka pasur një fjalë të cilën Beli e ka dashur, ajo ka qenë faleminderit andaj sonte falënderoi të gjithë ata që përmes kësaj akademie përkujtimore e dokumentarit nderuan veprën e jetën e Pecit.

“Atë çka kam dashur ta them për Belin, do të keni mundësi ta shihni në dokumentarin për Belin”, u shpreh Peci.

Blerim Peci ka ndërruar jetë më 9 dhjetor të vitit 2017, ndërsa ishte raportuar se vuante nga sëmundja e mëlçisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme