Përfundon dita e katërt e festivalit ‘Anibar’, ndalohen aktivitetet muzikore në solidarizim të viktimave në Kroaci

27 Korrik, 2021 - 4:30 pm

E hëna ishte mjaft intensive, njerëzit po vraponin nëpër kinematë e qytetit ku po mbaheshin shfaqjet e filmave, prezantimet, panelet dhe punëtoritë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar ”Anibar”, përcjell KultPlus.

Sot u zhvilluan katër punëtori. Në ora 10:00 u mbajt punëtoria “Confessions of Isolation” tek shkolla “Halil Kasapolli”, ku pjesëmarrësit patën rastin të dëgjonin histori dhe të ndanin përvojat e tyre të izolimit. Në të njëjtin vend, Joan Kamberaj udhëhoqi punëtorinë me titullin “One frame a time”. Një punëtori tjetër që është pjesë e këtij edicioni është “From one generation to the next”, që u mbajt tek Qendra Rinore. Fëmijët e grup moshave të ndryshme morën pjesë duke vrapuar e vizatuar, e kryesorja duke u shoqëruar me njëri-tjetrin.

Punëtoria tjetër është “BARMOTION” e drejtuar nga Gary Schwartz, ku të rinjtë vazhduan të mësonin mbi procesin e krijimit të filmave të animuar. Përvojat e fëmijëve këtu kanë qenë të jashtëzakonshme.

Takimi ditor “Coffee and Talks”, u mbajt tek lokali Exit. Këto takime janë mjaft emocionuese, pasi që pjesëmarrësit kanë rastin të takohen dhe të ndajnë përvojat e tyre, një mundësi e mirë për t’u njoftuar me animatorët profesional që kemi në edicionin e këtij viti të festivali.

Pastaj, audienca u mblodh tek Teatri “Istref Begolli”, për të shikuar filmat “Kona”, “Where Were You”, “niet thuis”, “Afloat”, “Yuluu”, “Not for money, not for love, not for nothing”, and “Llaves (Keys)”, që janë pjesë e Human Rights Competition 3.

Kjo u pasua nga Feature Film Competition tek Kinema “Jusuf Gërvalla”. Filmi i përzgjedhur për ditën e sotme ishte “Up We Soar”, i cili u shfaq në ora 16:00.

Me radhë në program ishte paneli “Haven’t we noticed”, i udhëhequr nga Bekim Sele dhe Lum Çitaku. Panelistët ndanë mendimet e tyre mbi lidhjen mes kreativitetit dhe diturisë. Ata theksuan potencialin që ka rinia në fushën e kreativitetit dhe lirisë së shprehjes. Sipas tyre, qëllimi kryesor i kreativitetit është çizolimi i vetes, dhe fitimi i një perspektive të re për të shikuar atë që na rrethon.

Tek Kino “Liqeni”, u vazhdua pastaj me shfaqjen e filmave të International Competition 3. Kjo kategori garuese përmban punime nga animatorë ndërkombëtarë, të cilët e kanë sjellë artin e tyre tek rinia kosovare, përmes tregimeve të ndryshme në formën e filmave të animuar.

Dita përfundoi me shfaqjen e Student Competition 3, tek Kino Kubat në ora 22:00. Filmat e shfaqur ishin “Red Shoes”, “Afloat”, “Portrait of a woman”, “Bus Line”, “CHRONIQUE”, “The Edge”, “Incognito”, “Inside” dhe “Ciervo”.

Si rezultat i aksidentit tragjik që ka ndodhur në Slavonski Brod të Kroacisë, ”Anibar” ka anuluar të gjitha aktivitetet muzikore të së hënës. / KultPlus.com

Të ngjajshme