“Pirates of the Caribbean” drejt një rikthimi spektakolar me kastin origjinal – Johnny Depp, Orlando Bloom dhe Keira Knightley

15 Korrik, 2025 - 1:28 pm



Franshiza legjendare “Pirates of the Caribbean”, një nga më të suksesshmet në historinë e kinemasë, duket se është gati për një rikthim të madh. Sipas raportimeve të fundit nga The DisInsider, kompania Disney është në diskutime për të rikthyer kastin origjinal, përfshirë yjet Johnny Depp, Orlando Bloom dhe Keira Knightley, në kapitullin e gjashtë të sagës që ka magjepsur miliona shikues në mbarë botën.

Rikthimi i personazheve ikonikë Jack Sparrow, Will Turner dhe Elizabeth Swann do të shënonte një kthim në rrënjët e sagës, e cila që në fillim u mbështet te dinamika unike e këtij treshi. Prodhuar nga Jerry Bruckheimer, aventurat në det të hapur morën përmasa të jashtëzakonshme që nga debutimi i filmit të parë në vitin 2003.

Pas largimit të Bloom dhe Knightley në filmat pasues, Depp mbeti qendra e serisë përkrah emrave si Geoffrey Rush, por mungesa e kastit origjinal u ndje fort nga fansat. Skena pas titrave e filmit të fundit, ku shfaqen Will Turner dhe Elizabeth Swann bashkë, ka ndezur spekulimet se Davy Jones mund të rikthehet si antagonisti kryesor, duke hapur rrugën për një vazhdim që përfshin gjithë linjën origjinale të historisë.

Sipas burimeve, projekti i ri mund të drejtohet nga Joachim Rønning, ndërsa skenari është në duart e Jeff Nathanson, i njohur për punën në “Pirates of the Caribbean: Dead Men Tell No Tales”.

Ndërkohë, fansat e sagës presin me padurim një konfirmim zyrtar, i cili mund të vijë gjatë D23 Expo -eventi më i madh i Disney që zhvillohet nga 29 deri më 31 gusht 2025. Nëse këto lajme bëhen realitet, ky do të ishte një nga rikthimet më të bujshme në kinemanë e aventurës, duke rilindur një univers që prej vitesh ka qenë në pritje të ringjalljes./ KultPlus.com

Të ngjajshme