“Pranvеrë е Paharruar në Fshatin e Harruar”, sonte premierë botërore në Moskë

21 Prill, 2019 - 2:58 pm

Premiera botërore e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pranvеrë е Paharruar në Fshatin e Harruar” me skenar dhe regji të Kushtrim Bekteshit do të jepet sonte në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Moskë (MIFF), shkruan KultPlus.

Në përzgjedhjen e 15 filmave në edicionin e 41-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, portali “Festival Film” e rekomandon edhe filmin shqiptar “Pranvеrë е Paharruar në Fshatin e Harruar”, që do të shfaqet në datat 21 dhe 24 prill.

Për këtë ka njoftuar për KultPlus, producenti i filmit Mumin Jashari i cili tregon se ai bashkë me Kushtrimin sonte janë prezent në festival për prezantimin e filmit.

Ky është një sukses i madh i regjisorit Kushtrim Bekteshi, i cili me film debutant po prezantohet në një festival të kategorisë A.

Ky film është xhiruar në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës. Në film është paraqitur jeta e zakonshme dhe e qetë e një fshati “të harruar” që e çrregullon ardhja e tri prostitutave në kafenenë ilegale të dy vëllezërve makro. Burrat, edhe përkundër përpjekjeve të grave të tyre për t’i ndaluar, tërë kohën e kalojnë në kafene duke harxhuar paratë e fundit në alkool dhe seks. Në shkollë mbizotëron gjendje kaotike, xhamia mbetet pa besimtarë. Vetëm dy të rinjë përfitojnë nga kjo rrethanë duke arritur të realizojnë lidhjen e dashurisë të ndaluar nga prindërit. Në fund gratë çohen në kryengritje. Si pasojë kafeneja digjet, ndërsa jeta në fshat duket se do të kthehet përsëri në normalitet.

Në film është përfshirë një kastë e madhe aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl  Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovski, Media&Film Production (Kosovë) me producent Mumin Jashari, Ska-Ndal Production (Shqipëri) me producent Genc Permeti dhe Skupifestival (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamili dhe Osman Ahmeti. Filmi është i mbështetur financiarisht nga Agjencioni për Film i Maqedonisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni i Maqedonisë 2 dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme