“Pranvera e paharruar në fshatin e harruar” eksploron jetën ‘perfekte’ brenda sistemit komunist

18 Korrik, 2019 - 10:30 am

Rrona Jaka

“Njerëzit janë të vetmet krijesa mbi tokë që dinë për mortalitetin e tyre, prandaj, shpeshherë seksi dhe pija janë veç shpërqendrime të këndshme”, është një shprehje nga Gjakova, por për filmin “Pranvera e paharruar në fshatin e harruar” kjo shprehje shtyhet në kufijtë më ekstremë të saj, shkruan KultPlus.

Në kuadër të festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë “PriFest” është shfaqur premiera e këtij filmi në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në këtë film, fshatarët zgjedhin kafenenë në vend të çajtores, miqtë në vend të familjes, natën në vend të ditës dhe prostitutën në vend të gruas, duke e shfrytëzuar seksin dhe pijen si shpërqendrime të përkohshme.

Filmi fillon me disa narrativa të ndryshme, por të gjitha historitë bashkohen kur njëri prej fshatarëve hap një kafene ku shfrenohen të gjithë banorët e fshatit.

Filmi eksploron jetën “perfekte” brenda sistemit komunist ku gjithçka kryhet me sukses dhe të gjithë janë punëtorë, të zellshëm e besnik, derisa dikush u hap një kafene dhe u jep mundësi atyre që t’i tregojnë fytyrat e vërteta.

Të gjithë, që nga fëmijët e deri te burrat bëhen kurioz të dinë se çfarë fshihet me mes këmbëve të një ukrainase, veç për të zbuluar që gjithçka është njësoj, është veç mungesa e aventurës në jetën e tyre që e bën të dytën më atraktive se të parën.

Ndërkohë, filmit s’i mungon as klisheja filmike e historisë së Romeos dhe Xhulietës. Dy familje armike që duan të bashkohen nga dashuria e dy të rinjve. Një narrativë që është bërë mirë që është lënë më anash se të tjerat.

Një gjë tepër e veçantë rreth këtij filmi është se si shihet homoseksualiteti në një shoqëri të izoluar. Fillimisht është djali i Dautit që urdhërohet nga i ati që të “bëhet burrë” e të kryejë marrëdhënie me Tatianën, e pastaj edhe Miradija e cila është një vajzë e pamartuar që gjatë gjithë kohës bën komente kundër martesës dhe kundër ideve mashkullore. Zakonisht komentet e saj janë të përcjella me “Miradi mshele”.

Sigurisht, historia ka një fund të lumtur pasi, të ashtuquajturat “tundueset e djallit” përzihen nga fshati nga gratë që kishin humbur burrat e tyre si pasojë e epshit. 

Me aktorë të jashtëzakonshëm, filmi është realizuar me profesionalitetin dhe kujdesin më të madh nën regjinë e Kushtrim Bekteshit.

Me afër 50 aktorë gjithsej, regjisori ka treguar që nuk ka rol kryesor.  “Në film ka 14 role bartëse, nuk ka rol kryesor”.

“Pra, rolet më përfaqësuese i kanë, Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Riqip Gjepa, Luan Jaha, Adriana Matoshi e shumë te tjerë”, ka treguar regjisori i këtij filmi. Ndërkohë ai ka treguar edhe se kjo ka qenë hera e parë që sfidohet me një film të metrazhit të gjatë duke ditur që gjithmonë ka punuar në teatër.”

Aktorët e përfshirë në film vijnë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…

“Filmi është shfaqur fillimisht në Shkup, por atëherë ka qenë në fazën produksionale, por kjo është premiera pasi tash është i kompletuar.”

Kurse organizatorja e PriFest, Vjosa Berisha ka treguar që filmi do të ketë edhe një reprizë gjatë PriFest-it.

“Do të bëjmë të pamundurën që filmi të ketë edhe një reprizë tjetër gjatë PriFest. Nuk ka ndonjë gjë të konfirmuar por do t’iu informojmë nëse një gjë e tillë realizohet”, ka thënë Berisha për ne. /KultPlus.com

Të ngjajshme