PriFest hap thirrjen për Green Film Project III

31 Maj, 2019 - 9:00 am

Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFest, këtë vit do të organizojë edicionin e tretë të Green Film Project, projekt ky i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe aktivizmin tek të rinjët për rëndësinë e mjedisit, me fokus impaktin që ka shoqëria në kualitetin e ajrit përgjatë tërë vitit.

Green Film Project është program me karakter garues me temë mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që këtë vit do të jetë me fokus të veҫant në cilësinë e ajrit.

PriFest, ju fton që të merrni pjesë në edicionin e III të Green Film Project për të sjellur para publikut të PriFest idetë tuaja kreative, në formë të filmit të shkurtër dokumentar apo fiktiv, që trajtojnë ajrin.

Reflektimet tuaja për ajrin, njohuritë apo kurioziteti rreth ajrit, gjetjet tuaja arkivore ose ato të dokumentuara rishtazi, idetë inovative ose ato poetike, secila arsye logjike apo emocionale që do t’u inspironte për ta zgjedhë filmin si mjet për tregimin tuaj, mund ta shfaqni në Green Film Project.

Drejtoresha e Festivalit PriFest Vjosa Berisha shprehet e kënaqur që ky aktivitet do të vazhdojë të jetë pjesë e PriFest:

“ – Vetëdijësimi i të rinjve lidhur me mbrojtjen e ambientit dhe dhënja e informatave për këtë problematikë është shumë e rëndësishme, andaj për ne si festival, marrë parasysh se kemi mundësi dhe hapsirë që të informojmë publikun lidhur me këtë ҫështje, e bëjmë këtë gjë me shumë përgjegjësi dhe kënaqësi. Mënyra se si e kemi realizuar në të kaluarën ka qenë shumë e përshtatshme sepse përmes garës janë stimuluar të rinjët që të kyҫen dhe të realizojnë idetë e tyre. Në këtë mënyrë do të vazhdojmë të punojmë edhe këtë vit.”

Ndërsa, të drejtë pjesëmarrje kanë:                                                                                    

–          Të gjithë të rinjtë moshës 16 vjeç.

–          Pjesëmarrësit nuk kanë nevojë të kenë ndonjë përgatitje paraprake si filmbërës. Mjafton të kenë idenë dhe dëshirën për të prodhuar një film

–          Filmat mund të xhirohen me çfarëdo mjeti xhirues: kamera, smartphone, ipad, etj.

–          Kohëzgjatja e filmit nga 30 sekonda deri në 3 minuta

–          Projekti është i hapur deri më datë 1 korrik.

–          Filmat e përfunduar duhet të ngarkohen në linkun e ndarë enkas për Green Film Project në www.prifest.org

–          Pjesëmarrësit poashtu duhet të plotësojnë formën e aplikacionit me të dhënat e tyre që do të ndodhet në ëebfaqen e PriFest prifest.org

–          Pjesëmarrësit në garë mund të ndajnë edhe një promo të vogël të filmit 10 sekonda të cilën mund ta promovojnë në Instagram me hashtag #GreenFilmProject2019 #PriFest #millenniumfoundationks.

–          Të drejtë aplikimi kanë vetëm shtetsati Kosovar.

Nga të gjitha aplikimet, 10 filma do të përzgjidhen nga selektorët e festivalit për t`u shfaqur në PriFest 11 në njërën nga netët e festivalit në datat 16-21 korrik. Ndërkohë juria ndërkombëtare do të përzgjedh edhe filmin më të mirë të Green Film Project. Autori i filmit më të mirë do të fitojë si shpërblim një kamerë profesionale dhe Pllaketën e Hyjneshës së Gjelbër.

Edicionet e kaluara të Green Film Project, kanë nxitur interesim të jashtëzakonshëm tek të rinjtë kosovarë, të cilët nëpërmjet filmit kanë arritur edhe të mësojnë më shumë rreth mbrojtjes së mjedisit.

PriFest këtë vit mbahet më datë 16-21 korrik.

       Miqësi. Përgjithmonë. PriFest

Të ngjajshme