PriFest lidh partneritet me Spotlight, kompaninë më të njohur të shërbimeve casting në Evropë

16 Tetor, 2020 - 9:41 am

Në vazhdimësi të punës së vet në përkrahjen e aktorëve Kosovar që të kenë qasje më të lehtë në tregun ndërkombëtar dhe angazhim në projekte filmike jashtë Kosovës, PriFest ka arritur që të lidh partneritet me njërën nga kompanitë më të njohura në Evropë të shërbimeve të casting – Spotlight.

 “Jam shumë e lumtur për këtë partneritet sepse PriFest dal ngadalë po arrin mu aty ku edhe e kemi menduar ne kur kemi filluar punën para 12 vitesh, të jetë një urë lidhëse që i shërben industrisë së artit skenik që të shpërthejë dhe të promovohet jashtë kufijve të Kosovës. Me këtë partneritet ne do të kemi mundësi që si festival këtë vit të përzgjedhim 5 aktorë nga Kosova, të cilat do të fitojnë një vit anëtarësim gratis në Spotlight për t’ua hapur mundësinë që të promovohen dhe angazhohen në projekte të ndryshme jashtë Kosovës, dhe sigurisht që partneriteti do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme për mundësi të tjera për aktorët tanë”, u shpreh Vjosa Berisha, drejtoreshë e festivalit.

Kush është Spotlight?

Spotlight lidh aktorët dhe me role në teatër, televizion dhe projekte filmike. Profesionistët e kastingut përmes Spotlight bëjnë përzgjedhjen e aktorëve për projektet e veta pasi Spotlight njihet si kompania më e mirë në këtë industri. Me studiot e veta në West End të Londrës si dhe ekipet e stafit në çdo kënd të Evropës, Spotlight ndodhet mu në qendër të industrisë së arteve skenike. Përkrah partnerëve në Evropë, Amerikë e Australi, moto e Spotlight në të cilën besojnë fuqishëm është se casting është një punë me të vërtetë globale dhe një aktor që mund të përshtatet për një rol apo punë mund të vijë nga kudo në botë.  Për më shumë informata vizito website-in e Spotlight https://www.spotlight.com/

Seminari i Spotlight në PriFest

Gjatë periudhës së PriFest Online që do të mbahet me 19-25 tetor, në kuadër të Kosovo Rising Stars, Spotlight do të jetë prezente me një seminar që i dedikohet aktorëve dhe filmbërësve e producentëve dhe ka të bëj me mënyrën si funksionon Spotlight, mënyra e castingut, përgatitja e online casting, si dhe aspektet tjera të punës së tyre përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me producentë dhe filmbërës për çështje castingu.

E martë 20 Tetor, ora 14.30 (kohëzgjatja 1 orë):

Një seminar prezantues i Spotlight për aktorët, agjentët dhe drejtorët e kastingut, regjisorët dhe producentët. Prezantim i shkurtër nga ekspertët e Spotlight dhe një seancë interaktive pyetjesh me audiencën. Ky seminar është i hapur për të gjithë profesionistët e industrisë së filmit.

Kliko më poshtë për t’u regjistruar për pjesëmarrje

Seminari i Spotlight / kliko për të marr pjesë

Ndërkohë, PriFest do të bëjë  përzgjedhjen e pesë aktorëve nga Kosova të cilët do të fitojnë anëtarësimin në Spotlight dhe do t’i nënshtrohen një workshopi së bashku me stafin e Spotlight se si mund të përdoret platforma për promovimin dhe angazhimin e tyre në projekte jashtë vendit.

PriFest do të mbajë edicionin e 2020 online javën që vjen nga data 19-25 tetor. Regjistrimi për t’i përcjellur filmat online do të hapet gjatë fundjavës. / KultPlus.com

Të ngjajshme