PriFest do të mbahet nga 17-22 korrik

24 Maj, 2018 - 6:08 pm

PriFest publikon datat e festivalit dhe shpalos imazhin për këtë vit.

Prishtina International Film Festival këtë vit do të ketë edicionin e 10-të të festivalit, i cili do të mbahet në muajin korrik në datat 17-22.

Ekipi kreative i PriFest i përbërë nga project.graphics dhe B2 si çdo vit edhe këtë vit kanë punuar që të krijojnë një identitet vizual të festivalit që do të prezentojë festivalin për këtë vit jubilar.

“PriFest i kushton shumë rëndësi identitetit vizual të vet, aq më shumë kur për çdo vit jemi vlerësuar në konkurse ndërkombëtare dhe dizajnet e posterëve dhe katalogjeve tona kanë fituar në gara të ndryshme. Andaj mburremi që kemi një ekip shumë kreativ që e prezenton festivalin në pamjen e vet më të mirë” – u shpreh Vjosa Berisha, udhëheqëse e PriFest.

Në edicionin e 10-të të festivalit, PriFest do të sjell një javë plot aktivitete, filma, mysafirë e ekspertë të fushave të ndryshme, workshope dhe debate, si dhe risi të tjera në fushën e industrisë së filmit.

Çdo vit, PriFest përkujdeset që të sjellë një program të pasur dhe inovativ, si dhe një frymë festive në kryeqytet, duke sjell shumë premiera filmash në programet e veta filmike garuese dhe jo-garuese që kënaqin publikun e të gjitha moshave.

Gjatë javëve në vijim e deri në javën e hapjes së PriFest do të shpalosen të gjitha programet e festivalit, promot e filmave dhe informatat e nevojshme rreth festivalit. Për të qenë të informuar dhe nëse dëshironi ta ndiqni këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, vizitoni rrjetet tona sociale dhe uebfaqen tonë rregullisht që të merrni lajmet e fundit. / KultPlus.com

Të ngjajshme