Profesori Isa Qosja dekorohet me mirënjohje nga Universiteti “Haxhi Zeka”

17 Janar, 2019 - 10:13 am

Fakulteti i Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, ka dekoruar me mirënjohje profesorin Isa Qosja në nderim të kontributit të tij të dhënë në fushën e artit, në veçanti në degën e Regjisë. Profesori Qosja është edhe një ndër themeluesit e degës së Regjisë në Fakultetin e Arteve në Pejë, shkruan KultPlus.

Dekani i Fakultetit të Arteve në Pejë Hysen Nimani, në ceremoninë e dekorimit, u shpreh se ka qenë nder dhe privilegj të bashkëpunoi me profesorin Qosja, duke theksuar në veçanti për mundësinë e jashtëzakonshme të studentëve që të përfitojnë nga ligjëratat e profesorit.

“Kontributi i Profesor Isa Qosja në themelimin e Degës së Regjisë në Fakultetin e Arteve ka qenë thelbësor, për çka Universiteti “Haxhi Zeka” i është mirënjohës Profesor Qosjes. Puna dhe përkushtimi jetësor i Profesorit Isa Qosja si dhe angazhimi i tij në Fakultetin e Arteve, ka rezultuar me sukses me ç’rast studentët e këtij Fakulteti dhe përfitues të ligjërimeve të profesor Qosja, kanë arritur të fitojnë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare”, është shprehur Nimani.

Për hirë të kontributit dhe veprës së Profesor Qosja, e gjithashtu pas sukseseve të vitit 2018 të Fakultetit të Arteve në Pejë, më 11 janar të këtij viti, Kori i Fakultetit të Arteve në Pejë ka organizuar dhe mbajtur koncert.

Në koncert janë interpretuar vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre botërorë me ç’rast theks i veçantë i është kushtuar dhomës së përgatitur nga profesorët e këtij Fakulteti dhe gjithashtu, paraqitjet e studentëve me pika solo dhe Kori i Fakultetit./ KultPlus.com

Të ngjajshme