Publikohet lista e filmave garues për Oscar

18 Dhjetor, 2018 - 10:35 am

Tashmë është bërë publike lista e filma të cilët janë në garë për edicionin e 91-të të Çmimeve të Akademisë – Oscar. Në këtë listë nuk është asnjë film nga Kosova edhe pse kishte pasur pretendime që tri regjisoret Lendita Zeqiraj, Blerta Zeqiri dhe More Raça, mund të ishin pjesë e saj, shkruan KultPlus.

Filmi “Martesa” ishte propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj. Në këtë kategori tani janë përzgjedhur nëntë filma: Kolumbia- “Birds of Passage”, Danimarka-“The Guilty”, Gjermania – “Never Look Away”, Japonia -“Shoplifters”,Kazakistani -“Ayka”, Lebanon-“Capernaum”, Meksika- “Roma”, Poland-“Cold War” dhe Korea e jugut -“Burning”.

Gjithashtu pretendentë për tu kualifikuar në këtë garë të madhe kanë qenë edhe filmat “Gardhi” i Lendita Zeqirajt dhe “Ajo” nga More Raça.

Filmi i shkurtër i Lendita Zeqirajt “Gardhi” u kualifikua duke ngadhënjyer si filmi më i mirë i shkurtër në festivalin ndërkombëtar të filmit në Hamptons dhe si filmi më i mirë nën 15 minuta në festivalin e filmit të shkurtër në Palm Springs. Ky film në qendër të tij ka një fëmijë të vogël, të cilin e luan Art Lokaj që ballafaqohet me veset e familjes së tij, derisa miku i tij rom e pret jashtë. Filmi prek mbi temën e përjashtimit, shovinizmit dhe racizmit në shoqërinë kosovare.

Ndërsa filmi “Ajo” nga More Raça është përzgjedhur si njëri ndër finalistët e Manhattan Short Film Festival. Filmi është shfaqur në mbi 350 qytete nëpër 6 kontinente dhe ka fituar të drejtën të garojë për Oscar. “Ajo” flet për temën e dhunës në familje dhe e përcjell trimërinë e një vajze të vogël, të luajtur nga Diella Valla, e cila e bën të pamundurën për ta shpëtuarvetveten dhe nënën e saj, të cilën e luan Aurita Agushi.

Këtu mund të gjeni listën e ngushtë të filmave potencial për nominim në Oscar 2018. /KultPlus.com

Të ngjajshme