Publikohet trailer-i ‘Friends’ (VIDEO)

20 Maj, 2021 - 9:28 pm

Platforma “HBO Max” ka publikuar trailerin e parë për ribashkimin e kastës së aktorëve të serialit ikonik “Friends”, që do të rikthejë në ekran gjashtë aktorët kryesorë të ekipit. Por në vend se ta xhirojnë një episod të ri, aktorët janë bashkuar për një paraqitje pa skenar për ta rikujtuar kohën që e kanë kaluar në serial.

Rikthimi i planifikuar do të transmetohej vitin e kaluar, por ishte pezulluar për shkak të situatës me pandeminë. Në vijim BBC-ja ka numëruar shtatë gjërat që i shpalos trileri i ribashkimit, transmeton KultPlus.

Nuk mungojnë mysafirët specialë

Lista e gjatë e yjeve që do të merrnin pjesë, fillimisht kishte nxitur një lloj frike. Jo që kemi diçka kundër David Beckhamit, Lady Gagas, BTS-it, Mindy Kalingit, Justin Bieberit, Malala Yousafzait dhe Cindy Crawfordit – por thjesht mbizotëronte brenga se prania e kaq shumë yjeve do t’ia kufizonte kohën e ekipit për t’u paraqitur. Lajmi i mirë është se producentët i kanë paraqitur mysafirët në mënyrë të mençur.

Një pjesë interesante e trilerit ishte paraqitja e Cara Delevignes, veshur me fustanin ngjyrë rozë të Rachelit nga episodi “The One with Barry and Mindy’s Wedding”.

Aktorët janë plakur

Jemi aq të shokuar po aq sa ju, por pothuajse pas dy dekadash, disa prej aktorëve kanë rrudha dhe flokë të thinjura. Për shembull, kur Chandler dhe Joey shtriheshin në kolltukët e tyre të veçantë, dukeshin si dy shokë dhome nga New Yorku, në të njëzetat e tyre. Tani Matthew Perry dhe Matt LeBlanc duken sikur kanë nevojë për pushim (sikurse të gjithë ne).

Skenat më interesante

Aktorët do t’i rikrijojnë disa prej skenave më interesante, përfshirë edhe atë nga “The One Where Everyone Finds Out” gjatë së cilës Lisa Kudrow dëgjohet duke bërtitur si Phoebe: “My eyes! My eyes!”. Pastaj vjen ritakimi i Phoebes me kitare dhe loja me pyetje nga Ross, ku një ndër to është se sa e gjatë ka qenë letra e Rachelit për Rossin.

Chandler MUND të qajë

Chandler ishte personazh që vështirë se i shfaqte ndjenjat – madje deri në atë pikë saqë skenaristët ia kushtuan tërësisht një episod.

“The One Where Chandler Can’t Cry” do ta befasojë grupin për faktin se sa rrallë Chandler mërzitet, kurse Monica mundohet të krijojë skenarë të ndryshëm për ta shtrënguar atë që të derdh lot. Por në jetën e vërtetë, aktori nuk e ka aspak problem që t’i shfaqë ndjenjat.

Në trailer, Perry dëgjohet duke thënë: “Në rregulli, do të qaj tani”, kurse Aniston ai vë dorën mbi sup.

Rikthimi i personazheve dytësore

James Michael Tyler (Guntheri), Reese Witherspoon (motra e Rachelit, Jill) dhe Elliott Gould e Christina Pickles (prindërit e Rossit dhe Monicas, Jack dhe Judy) janë në mesin e yjeve që u janë rikthyer ekraneve. Edhe disa prej personazheve të tjera janë spikatur në triler. Paraqitet një pjesë e shkurtër e Tom Selleckut (ish-i dashuri i Monicas, Richard), por edhe shprehja “Oh. My. God!” nga Maggie Wheeler (Janice). Ndonëse disa fansa janë dëshpëruar me mungesën e Paul Ruddit (bashkëshorti i Phoebet, Mike).

Ross dhe Rachel ISHIN ndarë

Kështu mendon madje edhe Jennifer Anistoni. Në fakt Corden ua bën këtë pyetje gjashtë aktorëve dhe të gjithë pajtohen se ishin ndarë dhe se Ross teknikisht nuk ka bërë diçka të gabuar që ka fjetur me vajzën nga fotokopja.

Cortney Cox mezi e mësonte skenarin

Në rolin e motrës së Rossit, shoqes së ngushtë të Rachelit dhe në fund bashkëshortes së Chandlerit, Monica ishte në qendër të serialit.

“Ti je ngjitësi që e mban së bashku këtë grup”, i kishte thënë Ross në episodin “The One With the Pediatrician”. Por, në jetën e vërtetë, Courtney Cox duket se e kishte të vështirë që ta mbante në mend skenarin.

Në triler, aktorët e vizitojnë apartamentin e Monicas dhe Rachelit dhe një nga momentet qesharake aty është kur Matt LeBlancu e lëviz pjatën me fruta në kuzhinë, duke thënë: “A është i shkruar ende skenari i Courtney në tavolinë?”. /bbc/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme