Publikohet traileri i filmit të ri ‘Peter Pan & Wendy’

4 Mars, 2023 - 11:14 pm

“Peter Pan and Wendy” është filmi i ri amerikan, me regji dhe skenar të David Lowery, i cili riimagjinoi dhe solli sërish në skenë këtë tregim klasik.

Ky film bazohet në romanin e James Mathew Barrie “The Little White Bird” ku Barrie paraqiti për herë të parë personazhin Peter Pan në vitin 1902. Ai po ashtu bazohet në serialin klasik të animuar të Disney “Peter Pan”, të realizuar në vitin 1953.

Sipas sinopsisit të filmit të ri, personazhi Wendy Darling, rolin e të cilës e luan Ever Anderson, është një vajzë e re e cila ka frikë që të dalë nga shtëpia e saj e fëmijërisë.

Ajo takohet me Peter Pan, rolin e të cilit e luan Alexander Molony, e i cili është një djalë që refuzon të rritet.

Bashkë me vëllezërit e saj dhe një zanë të vogël përrrallash që quhet Tinker Bell, rolin e të cilës e luan Yara Shahidi, ajo udhëton me Peter për në botën magjike të Neverland.

Atje takohet me një kapiten të keq piratësh, kapitenin Hook, rolin e të cilit e luan aktori Jude Law. Kështu, ajo fillon një aventurë të rrezikshme që ia ndryshon jetën.

Në mesin e aktorëve që luajnë në film përfshihen edhe: Alyssa Wapanatâhk, Joshua Pickering, Molly Parker, e disa të tjerë.

Lowery ka bërë skenarin e filmit bashkë me bashkëpunëtorin Toby Halbrooks.

Ai në një deklaratë me këtë rast ka thënë se, me këtë film nderojnë tekstin e J. M Barrie, dhe serialin klasik Peter Pan.

Filmi “Peter Pan and Wendy” do të shfaqet premierë në Disney+ më 28 prill 2023./ KultPlus.com

Të ngjajshme