‘Quo Vadis, Aida?’ vlerësohet me Çmimin Evropian të Filmit të Audiencës LUX 2022

9 Qershor, 2022 - 7:30 pm

Këtë vit filmi “Quo Vadis, Aida?” i regjisores boshnjake, Jasmila Zhbaniq, për masakrën e Srebrenicës, u nderua me çmimin tradicional të kinemasë, i cili jepet nga Parlamenti Evropian (PE) dhe Akademia Evropiane e Filmit.

Ceremonia e Çmimit të Filmit Evropian LUX u zhvillua gjatë Asamblesë së Përgjithshme të PE-së, në Strasburg, Francë.

Regjisorja boshnjake Zhbaniq, e cila iu dorëzua çmimi nga presidentja e PE-së, Roberta Metsola, tha se gjatë përgatitjes së filmit për masakrën e Srebrenicës, luftën në Bosnje-Hercegovinë e kishte konsideruar si luftën e fundit në Evropë.

“Unë nuk e kuptoj sesi evropianët po e lejojnë luftën në Ukrainë. Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të gjeni një mënyrë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha ajo duke iu drejtuar eurodeputetëve.

Presidentja e PE-së, Metsola tha se filmi ishte një thirrje e fortë për drejtësi për gratë dhe nënat në Srebrenicë. Ajo theksoi se një krim i tillë kundër njerëzimit nuk duhet harruar kurrë.

“Quo Vadis, Aida?”, është një bashkëprodhim i Bosnje-Hercegovinës, Austrisë, Holandës, Francës, Polonisë, Norvegjisë, Gjermanisë, Rumanisë dhe Turqisë. Filmi tregon historinë e Aidës, e cila ishte përkthyese për paqeruajtësit në Srebrenicë në verën e vitit 1995.

Ngjarjet në Srebrenicë tregohen përmes syve të mësueses Aida, familja e së cilës ndodhet në kampin e OKB-së./ KultPlus.com

Të ngjajshme