Regjisori Samir Karahoda ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

14 Janar, 2022 - 5:29 pm

Regjisori i njohur kosovar Samir Karahoda është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.

Filmi dokumentar i shkurtër ‘Në mes’ ishte debutimi i tij regjisorial, i cili në 2019 shfaqi premierën botërore në Berlinale si filmi i parë kosovar që konkurroi në këtë festival. ‘Në mes’ ishte gjithashtu edhe kandidat për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit EFA në 2019. ‘Pa vend’ është filmi i tij i dytë me metrazh të shkurtër i cili shfaqi premierën në konkurencën zyrtare në Festivalin e Filmit në Kanë në 2021 dhe prej nga u shpërblye me nominim për çmimin e Akademisë Evropiane EFA për filmin më të mirë evropian.

Në shtator 2021, ‘Pa vend’ fitoi çmimin ‘IMDb Pro shortcuts’ si filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.

Samir Karahoda në vitin 2019 është shpërblyer me çmimin vjetor të kinematografisë nga Ministria e Kulturës.

Akademia Evropiane e Filmit u themelua më 1989 si Shoqëri Evropiane e Kinemasë nga presidenti i saj i parë Ingmar Bergman dhe 40 kineast të tjerë për të çuar para interesat e industrisë evropiane të filmit. Synimet e Akademisë janë të ndajë njohuritë dhe të edukojë audiencën e të gjitha moshave rreth kinemasë evropiane. EFA momentalisht numëron rreth 4200 anëtarë nga lëmi të ndryshme të kinematografisë. Samiri i bashkohet grupit të rreth 20 kinestëve kosovar tashmë anëtarë të EFA-s. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme