Regjisorja Suela Bako fiton çmimin e parë në Festivalin e Filmit në Qipro

23 Prill, 2020 - 1:20 pm

Në një situatë pandemie, ku gjithçka është paralizuar dhe ku pjesa më e madhe e botës është karantinuar, regjisorja shqiptare, Suela Bako, ka “rrëmbyer” çmimin e parë në festivalin e filmit në Qipro.

Festivali i Filmit në Qipro, ndryshe nga shumë aktivitete të tjera që janë pezulluar, është mbajtur në datat 9-11 prill të këtij viti. Ndryshe nga vitet e tjera, festivali u realizua virtualisht nëpërmjet video-konferencave.

Gjithë pjesëmarrësit, që kishin aplikuar nga e gjithë bota, janë prezantuar online si dhe çmimet janë dhënë po online. Në një lidhje direkte në skype, regjisorja e filmit, Suela Bako ka treguar për këtë eksperiencë të re dhe fitoren e projektit filmik “The Three of Us”.

“Festivali i filmit në Qipro u mbajt në datat 9-11 prill. Ishte programuar për të marrë pjesë atje, por nga kushtet të cilat dihen tashmë u realizua virtualisht. Megjithëse funksionoi në mënyrë të shkëlqyer, pasi pati mbi 60 pjesëmarrës nga shumë vende të ndryshme dhe kishte rreth 45 vetë që dëgjonin. Kjo është  eksperienca jonë e parë dhe ishte një provë e të ardhmes kinematografike, pasi kështu do të realizohen të gjitha takimet në Europë apo dhe më gjerë, për këtë periudhë që nuk dihet sesa do të zgjasë”, u shpreh Suela Bako. / Shqiptarja.com / KultPlus.com

Të ngjajshme