Reportazh: Reflektimi i DokuFest-it në Prizren (FOTO)

5 Gusht, 2018 - 6:00 pm

Alberina Haxhijaj

Të këndosh këngën “I’ll Be Your Mirror’, nga The Velvet Underground, së bashku me dhjetëra njerëz shumicën e të cilëve asnjëherë më parë nuk i ke takuar, por që i pranon ashtu siç janë, gjersa reflektoni së bashku për atë që jeni, kjo është fuqia e DokuFes-it dhe ajo që shënoi edhe hapjen e këtij edicionit të XVII.

“Unë jam pasqyra jote, reflekto çfarë ti je, në rast se nuk e di,
Unë do të jem era, shiu dhe perëndimi i dellit,
Drita e shtëpisë që të tregon se je në shtëpi”, janë fjalët që i kanë shqiptuar dhjetëra persona në ambient të hapur të Kino Lumbardhi, të premten.

E ftesës së festivalit “Eja, ashtu qysh je”, po i përgjigjen një numër i madh i vizitorëve. Në ekranin e vendosur nga festivali te Shatërvani, numri i vizitorëve shënoi 1 mijë e 300 mbrëmjen e kaluar, në ditën e dytë të festivalit.

Të gjithë ata kanë ardhur për të qenë pjesë e DokuFest-it dhe programit të tij të larmishëm ku do shfaqen më shumë se 250 filma. Përveç filmave, vizitorët do shijojnë shfaqjet, bisedat, ekspozitat dhe koncertet, do kënaqen me art por njëkohësisht edhe do reflektojnë përmes mediumeve të ndryshme mbi veten dhe ambientin.

Në një situatë kur thjeshtë të duhet të marrësh frymë dhe të reflektosh, sigurisht qyteti i Prizrenit është i duhur. Një qytet ku bota moderne dhe ajo antike gërshetohen shumë bukur me njëra tjetrën, qytet në të cilin mund ta gjejë veten çdo kush, falë laramanisë që ofron.

Fillimisht ajo që duhet të zgjedhësh është lartësia mbidetare në të cilën dëshiron që të qëndrosh dhe të reflektosh. Kështu në qoftë se dëshironi që të jeni 525 m. mbi nivelin e detit, duhet që të ngjiteni të Kalaja e Prizrenit, 15 minutave ecje në këmbë nëpër rrugicën që lidhë qytetin me Kalanë. Me të arritur, për shkak të ecjes, frymëmarrja juaj për disa sekonda mund të jetë më e thellë pasi që organizmi juaj do ketë nevojë për më shumë oksigjen, por ju, ka shumë gjasa të mos i kushtoni vëmendje pasi që pamja e qytetit, i cili reflekton si një pasqyrë drejt jush, do jetë e paharrueshme. Gjersa qëndroni të Kala, vend i cili është shndërruar në kinema do jeni po ashtu në vëmendjen e kalimtarëve në qytet të cilët në muret e kalasë lexojnë mbishkrimin “AS WE ARE”, pjesë e instalacionit të festivalit.

Në anën tjetër përgjatë Lumbadhit të Prizrenit, “Lumbardhi outdoor” dhe “Kino n’lum” janë bërë zgjedhje për shumë vizitorë, të cilët po përcjellin filmat. Veçanërisht në ‘Kino n’lum’ zhurma që krijon rrjedhja e lumit po gërshetohet me filmat të cilët janë duke u shfaqur aty. Rrjedha e lumit po krijon njëkohësisht edhe një freski, e për ata të cilët kjo nuk mjafton një pijë dhe disa grimëtësira për të ngrënë gjersa përcjellin filmat janë ideal.
Mirëpo kur dielli fillon që të perëndojë ajo që duhet që të bëni është që të vazhdoni tek Platoja “DokuKino”.

Perëndimi i diellit është një njoftim se aty shfaqja e filmave do të fillojë shumë shpejtë. Kështu kuadrot e filmave gërshetohen shumë bukur me ngjyrën e kuqërremtë, e të arit, të cilat fillojnë që të shfaqen në qiell. Një pamje e mrekullueshme për të marrë fryme thellë dhe reflektuar. E meqenëse qyteti është i rrethuar me xhamia të ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane atëherë thirrja e ezanit do bëhet pjesë e filmit po ashtu.

Më të përfunduar filmi vëmendja e vizitorëve kthehet te Rruga e Çarshisë. Vendi i cili prezanton më së miri laramanin e qyteti dhe shijet e ndryshme të vizitorëve. Lokalet e shumta të vendosura në këtë rrugë janë çdo natë të stërmbushura nga vizitorët. Disa marrin miqtë dhe ndalojnë për një birrë, të tjerët për një kafe turke, e njohur për shijen e veçantë, e të tjerët të uritur shijojnë një byrek apo qebapët. Sigurisht që një fluks i tillë ndikon pozitivisht të prizrenasit të cilët kanë hapur dyqane të ndryshme, kafeteri e lokale.

Një e veçantë tjetër e vizitorëve të cilët bredhin rrugëve me kalldrëm të Prizrenit është se shumica e tyre janë vizitorët të huaj. Ndërsa një pjesë e tyre janë edhe filmbërës, aktorë, muzikantë, e artistë të ndryshëm të cilët janë të lidhur me kinematografinë dhe me festivalin. Disa vijnë për të prezantuar punën e tyre gjersa shpalose në festival, e të tjerët për ta shijuar atë që po prezantohet. Prandaj rrugëve të kalldrëmit arrin të takosh edhe artistët edhe nga Kosova.

Kur ora shënon 24:00 në qytetin e Prizrenit akoma nuk ka gjumë, kjo pasi që edhe jeta e natës është e pranishme përmes performancave të bendeve dhe artistë të ndryshëm të cilët perfomojnë në skenën “ANDRRA”. Vizitorët gjatë kësaj kohë drejtohen drejt “Marashit” ku shijojnë muzikë deri në orët e para të mëngjesit. Për të vazhduar përsëri një ditë tjetër reflektuese duke zbuluar prurjet e reja të këtij edicioni të DokuFestit.

Në mëngjes, trokitja e rrotave të valixhes, nëpër rrugët e kalldrëmit në kërkim të shtëpive për të qëndruar është zhurma paralajmëruese për vendasit se në lagjen e tyre po hyn edhe një vizitor i ri. Kështu mikpritës i-ja e shtëpisë, me një buzëqeshje në fytyrë i drejton mysafirët e saj në dhomën e tyre, të cilën e ka lëshuar për vizitorët e festivalit.

E veçanta e këtyre rrugëve këtë vit për dallim nga vitet e kaluar është se trungu i pemëve të vendosura gjatë rrugëve është mbështjell me punime dore të realizuara nga gratë e qyteti. Punimet këtë vit kanë zëvendësuar njoftimet e ndryshme të cilat më parë janë ngjitur nëpër pemë. Kështu përmes kësaj performance të titulluar “Drunjtë e pastër” është promovuar punë e grave të qytetit por njëkohësisht është vënë theksi mbi rëndësinë që ka ambienti.

Një veprim i tillë e ka bërë qytetin edhe më të dashur për vizitorët të cilët gjersa kalojnë rrugës i veshtojnë më kujdes edhe këto punime. Mirëpo, kjo është gërshetuar shumë bukur edhe me programin “Green Dox”, të festivalit.
Në këtë rrotacion i cili do zgjasë nëntë ditë aq sa zgjatë edhe festivali, 3-11 gusht, çdokush do mund të gjejë diçka të veçantë në Prizren. Mund të jetë diçka shumë e thjeshtë, ndoshta edhe një pikturë e Prizrenit të vjetër, e varur në murin e dhomës suaj, e ngjashme me timen në shtëpinë e zonjës Tyrkan Opoja. Pikturë të cilën një mik i familjes ia dhuroi bashkëshortit të saj të ndjerë, si shenjë respekti dhe falënderimi pasi që ishte pediatër i fëmijës së të tij.

Gjithçka mund të jetë nxitje për të reflektuar, për aq kohë sa ju jeni vetvetja, ashtu qysh jeni, kokëfortë, të guximshëm, të frikësuar, të sinqertë, krenarë, të thjeshtë, të komplikuar, të lirë, të mrekullueshëm…/KultPlus.com

Të ngjajshme