14 Gusht, 2025 - 11:19 pm
Saga e famshme “Piratet e Karaibeve” po përgatitet të rikthehet në ekran, por ende nuk dihet nëse do ta shohim Johnny Depp përsëri në rolin e Kapiten Jack Sparrow. Pas muajsh spekulimesh, producenti Jerry Bruckheimer ka konfirmuar për Entertainment Weekly se pjesëmarrja e Depp do të varet nga skenari.
“Nëse i pëlqen mënyra se si është shkruar roli, mendoj se do të pranojë. Gjithçka varet nga ajo që është shkruar,” tha Bruckheimer, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit të tij.
Saga, e cila nisi në vitin 2003, është shndërruar në fenomen botëror duke arkëtuar mbi 4.5 miliardë dollarë me pesë filma. Megjithatë, filmi i fundit nuk pati suksesin e pritur, duke hapur rrugën për një reboot. Detajet e rrëfimit dhe personazheve të rinj mbeten ende sekret.
Bruckheimer e ka shprehur hapur admirimin për Depp: “Ai krijoi Kapitenin Jack. Nuk ishte vetëm skenari, por edhe pjesë të Pepé Le Pew dhe Keith Richards që ai i solli në rol. Interpretimi i tij ishte unik.”
Për fansat, dilema mbetet: a mund të ekzistojë “Piratet e Karaibeve” pa kapitenin e çmendur dhe karizmatik Jack Sparrow? Përgjigjja pritet me interes nga e gjithë bota e kinemasë./KultPlus.com