Rita Ora krenare me suksesin e filmit “Zgjoi” të Blerta Bashollit, e ndanë lajmin me fansat e saj (FOTO)

5 Shkurt, 2021 - 9:27 am

Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.

Ky lajm ka gëzuar të gjithë dhe reagimet kanë qenë të shumta. Por mbrëmë, përmes Instagramit ka reaguar edhe ylli botëror Rita Ora.

Ajo ka ndarë në story lajmin duke shkruar: Yess!! Në këtë formë Rita ka shprehur krenarinë e saj për këtë arritje të filmit kosovar.

Kjo padyshim që e ka bërë tejet të lumtur regjisoren Basholli e cila e ka falënderuar Ritën për përkrahjen.

‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Filmi pritet të ketë një rrugëtim të gjatë nëpër festivale nga ku nuk do t’i mungojnë sukseset. / KultPlus.com

Të ngjajshme