Robert Davi dhe Luke Goss flasin për ardhjen në Kosovë dhe premierën e filmit ‘Your Move’

13 Prill, 2018 - 6:44 pm

Alberina Haxhijaj

Aktorët hollivudianë Robert Davi dhe Luke Goss, për herë të parë kanë ardhur në Kosovë sot. Ardhja e tyre është bërë në kuadër të premierës së filmit më të ri të regjisorit Luke Goss “Your Move”, në kinemanë Cineplexx në Prishtinë.

Në konferencën e dhënë për media, aktorët Robert Davi dhe Luke Goss kanë shpalosur më shumë detaje për realizimin e filmit, ardhjen e tyre në Prishtinë, duke u treguar kureshtarë edhe për kinematografinë në Kosovë, shkruan KultPlus.

Aktori Luke Gross tregoi fillimisht se realizmi i një filmi ku i është dashur që të bëjë punën e regjisorit, aktorit por edhe realizimin e skenarit nuk ka qenë aspak e lehtë për të. Mirëpo, sipas tij, për regjisorët besimi në punën që bëjnë dhe vizionin e tyre është çelësi kryesor i suksesit.
“Dëshiroj që tu them të gjithë regjisorëve të cilët janë këtu, në këtë pjesë të botës, pa marrë parasysh buxhetin tuaj rrethoni veten me njerëz të cilët kanë besim në vizion tuaj dhe në punën tuaj. Kur je për herë të parë si regjisor duhet thjeshtë ta pyesësh veten a mund ta bëj këtë. Pastaj, çfarë mund të bëj me ato që kam. Mendoj që kjo vlen edhe për këtë vend të bukur”, tha ai.

Ai diskutoi edhe për filmin duke treguar se ka dashur të sjellë sekuenca të cilat publikut i japin ndjesinë e ëndrrave më sy hapur, duke i qëndruar kështu besnik imagjinatës së tij. Tutje ai ka diskutuar edhe për Kosovën.
“Vendi juaj nuk është zbrapsur edhe përkundër ngjarjeve. Përkundrazi, këtu ka një frymë falje dhe një ngrohtësi. Në këto 30 vite karrierë sa kam nuk kam marrë asnjë pritje më të ngrohtë prandaj faleminderit. Një nga gjërat që dua të bëj këtu është të ju them edhe të tjerëve, shikoni këtë vend të bukur dhe ejani të shohim nëse mund të bëjmë filma të tjerë këtu, apo të përkrahim realizmin e filmave. Eja të sjellim filma që të ndikojmë në rritjen e ekonomisë por edhe të argëtohemi”, tha ai.

Në anën tjetër aktori Robert Davi tha se e ka pëlqyer rolin me të parë skenarin. Sipas tij ajo që e ka bërë rolin të veçantë ka qenë lidhshmëria me jetën e tij personale. Pastaj, sipas tij, ka ndikuar edhe fakti se e njeh punën e regjisorit i cili është edhe mik i tij.
“Ka kohë që jemi miq të mirë dhe e respektoj punën e tij si artist por edhe si muzikant, diçka që kemi të përbashkët. Kur mora skenarin dhe e lexova ishte një histori shumë interesante. Unë kam pasur një motër e cila kur ishte re 20-vjeçare ishte rrëmbyer nga ish- i dashuri i saj dhe ka qenë e zhdukur për më shumë se një vit. Kjo histori është lidhur disi me mua pasi që edhe unë kam marrë një telefonatë të tillë, ku e kuptoj se dikush i familjes sime është zhdukur”,

Aktori Rober Davi i cili zakonisht paraqitet në filma si personazhi i “fortë” i filmit tregoi se roli i detektivit ishte mjaft sfidues.

“Ishte argëtuese të luaj një personazh i cili nuk shfaqë shumë energji. Kjo ishte sikur të ulesha mbi egon time në një mënyrë prandaj ishte sfidues por diçka e mirë për tu bërë për mua si aktor, ndoshta një mënyrë për të larguar pikërisht atë burrërinë”, tha ai.
Aktori Robert Davi ka dëgjuar edhe më parë për Kosovën mirëpo sipas tij ardhja në Kosovë dhe takimi më njerëzit ka qenë mbresëlënëse. Interesimin e tij për Kosovën ai e ka shfaqur edhe duke pyetur më shumë për kinematografinë në Kosovë.

Producent i filmit është Cedric Magnin, ndërsa ndihmës-producenti i filmit, biznesmeni shqiptar Duka Gërvalla. Ky i fundit tha se sjellja e artistëve por edhe ndihma e tij për realizimin e filmit ka të bëjë me promovimin e Kosovës sa më shumë në diplomacinë kulturore. Këtë e ka përkrahur edhe Dëfrim Puka nga kinemaja Cineplexx duke shtuar se do të mundohen që ta vazhdojnë këtë traditë, sjelljen e aktorëve të ndryshëm në Prishtinë për premiera të filmave.
Në mbrëmje prej orës 21:00 do të organizohet një Gala Premierë, ndërsa prej orës 20:30 pritet parakalimi mbi tepih të kuq i aktorëve Robert Davi, Luke Goss dhe pjesës tjetër të filmit. / KultPlus.com

Të ngjajshme