26 Gusht, 2025 - 10:40 pm
Robert De Niro, i njohur si një nga aktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ka lënë gjurmë të paharrueshme me rolet në filmat klasikë si Goodfellas, The Godfather II dhe Taxi Driver.
Legjendari regjisor Martin Scorsese, bashkëpunëtori i tij i gjatë, e ka cilësuar dikur De Niron si “aktorin më të madh të brezit të tij”. Megjithëse në ekran shfaqet me role të vendosura dhe të forta, De Niro në jetën private është më i tërhequr, por ka ndarë disa nga preferencat e tij personale,raporton Express.co.uk.
Në një intervistë me Kenneth Branagh, ai ka zbuluar aktorët e tij të preferuar, duke përfshirë emra si Marlon Brando, James Dean dhe Kim Stanley. Në ceremoninë e Golden Globes, De Niro konfirmoi gjithashtu se disa nga filmat e tij të preferuar janë pikërisht ata ku luajnë këta legjendarë: East of Eden, On the Waterfront dhe Rebel Without a Cause.
Në East of Eden (1955) dhe Rebel Without a Cause (1955), James Dean interpreton rolet kryesore dhe u bë simbol i rebelimit të rinisë, ndërsa karriera e tij u ndërpre tragjikisht në një aksident automobilistik në moshën 24-vjeçare. Marlon Brando, nga ana tjetër, u bë yll ndërsa Dean nuk kishte arritur ende famën dhe performanca e tij në On the Waterfront (1954) ka pasur një ndikim të madh në kinematografi.
Këto role dhe filmat e tyre mbeten ndër kryeveprat që kanë formësuar kinemanë dhe frymëzuar breza të tërë spektatorësh dhe aktorësh./KultPlus.com