Rozafa Çelaj dhe Art Lokaj nominohen në kategorinë aktori/ja më e mirë në “Pula Film Festival”

22 Korrik, 2020 - 11:54 am

Rozafa Qelaj është një prej aktorëve që ka marrë vëmendje qysh me rolin e saj të parë serioz në filmin “Gardhi” të regjisores Lendita Zeqiraj. Nga ajo kohë për Rozafën nuk kanë munguar rolet, çmimet, e krahasimet me aktore të nivelit botërorë, shkruan KultPlus.

Para pak ditësh doli lajmi që Rozafa Çelaj është nominuar në Festivalin Internacional të Filmit në Spanjë në kategorinë për Aktoren më të mirë me rolin e saj në filmin “Shpia e Agës”. Ndërsa sot, producenti i filmit Bujar Kabashi ka bërë të ditur që aktorja Çelaj është nominuar në po të njëjtën kategori por kësaj radhe në “Pula Film Festival” në Kroaci. Përveç Rozafës, është edhe aktori Art Lokaj i cili është nominuar në kategorinë për Aktorin më të mirë në këtë film.

Mesa duket sukseset e filmit ‘Shpia e Agës’, nuk kanë të ndalur. Producenti i filmit, Bujar Kabashi, ka bërë të ditur për KultPlus se ‘Shpia e Agës’ është nominuar gjithashtu edhe për Filmin më të Mirë si dhe Lendita Zeqiraj për Regjinë Më Të Mirë.

Këto katër nominime janë për çmimin ‘Arena e Artë’, çmim ky që ndryshe konsiderohet edhe si Oskari i Kroacisë. Pula Film Festival ka qenë në plan që të mbahet në muajin Korrik të këtij viti, mirëpo situata pandemike ka pamundësuar mbajtjen e festivalit, duke e shtyrë kështu për në shtator.

Vlen të ceket se ‘Shpia e Agës’, deri tash ka marrë pjesë në mbi 30 festivale ndërkombëtare, me mbi 35 nominime dhe 18 çmime.

‘Shpia e Agës’ flet për pesë gra bashkëjetojnë, ndajnë mes vete gëzimet e hidhërimet. Secila e ka një tregim ndryshe prej tjetrës, por në fund të ditës secila bashkohet rreth vuajtjes, nga e kaluara, nga e tashmja. Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.

 Në rolet kryesore në këtë film janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj.

Filmi është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit ËOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme