Rrëfimet dhe sfidat e gazetarëve u prezantuan përmes një dokumentari nga Vjosa Abazi

28 Nëntor, 2017 - 11:14 am

“18 vjet pas luftës, vrasësit e gazetarëve kosovarë janë në liri”, është një ndër pamjet e para të dokumentarit që përmban fytyrat e Bekim Kastratit, Bardhyl Ajetit, Enver Malokut e Shefki Popovës, Ali Ukës e Kristë Gegës, të cilëve edhe u dedikohet ky dokumentar.

Gili Hoxhaj

Dje është mbajtur një event i titulluar”Fjala e lirë, vështirësitë ndaj fjalës së lirë, si dhe përgjegjësia ndaj saj” në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE- së, në kuadër të së cilës janë shpalosur edhe disa aktivitete, shkruan KultPlus.

Një vajzë dhe një djalë të ulur pranë të pranishmeve qëndrojnë mes mendimeve të cilat i hedhin në bllokun e tyre, që simbolizon bllokun e gazetarit. Të dy fillojnë dialogun e tyre njëzëri mes pyetjeve të shumta, që lidhen me varfërinë, për pushtetin, diplomat fallco, studentët që s’mund të gjejnë punë, e shumë premtime që kurrë nuk realizohen. Të gjitha pyetjet e tyre ngecin kur personazhi i tretë i veshur në kostum kap duart e personazhit që përfaqëson gazetaren, e në anën tjetër mbyll gojën e gazetarit. E gjithë kjo si pikënisje për të treguar cenzurën dhe gjendjen në të cilën po ecën gazetaria në Kosovë.

Pas kësaj paraqitje artistike, e gjithë vëmendja drejtohet tek dokumentari i realizuar nga Vjosa Abazi.
“18 vjet pas luftës, vrasësit e gazetarëve kosovarë janë në liri”, është një ndër pamjet e para të dokumentarit që përmban fytyrat e Bekim Kastratit, Bardhyl Ajetit, Enver Malokut e Shefki Popovës, Ali Ukës e Kristë Gegës, të cilëve edhe u dedikohet ky dokumentar. Janë rrëfimet e disa nga gazetarëve më të njohur të cilët përcjellin këtë dokumentar duke shpalosur disa nga përvojat e tyre lidhur me lirinë e fjalës dhe sfidat që ata kanë hasur në këtë rrugëtim.

Në këtë dokumentar janë të përfshira rrëfimet e themelueses së gazetës online për art dhe kulturë- KultPlus, Ardianë Pajaziti, analistit Imer Mushkolajt, redaktores së lajmeve në Radio Kosova- Serbeze Haxhiajt, Anita Kadriut, gazetarë në gazetën “Zëri” dhe Xhymret Veliut- kryeredaktor në RTK.
Ata shpalosen disa nga përvojat e tyre në mediume dhe kohë të ndryshme, që nga koha e regjimit serb, në kohën e pasluftës e deri tek ditët e sotme.

I gjithë ky aktivitet u përcoll edhe me një panel diskutimi të udhëhequr nga Arta Berisha, ku u bisedua lidhur me zhvillimin teknologjik dhe përdorimin e mediave, në këtë panel ishin të ftuar IgballeRexhaj ish-gazetare në revistën “Rilindja” dhe Petrit Çollaku nga AGK-ja.

Asociacion i Gazetarëve të Kosovës së fundmi ka publikuar “Tregues për nivelin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve”. Çollaku gjatë këtij diskutimi tregoi se ky raport e nxjerrë disa të dhëna statistikore të cilat e paraqesin një situatë e cila e nxjerrë gazetarinë si një “punë të pasigurt”.
“Gazetarët nuk ndihen mirë në forma të ndryshme, raporti në veçanti është fokusuar në çështjen e mbrojtjes së gazetarëve. Po ashtu këtu hyn edhe kushtet pasi që industria po shkon në një orientim biznesi. Po thuajse gjysma e gazetarëve janë të lirë për të propozuar tema, mirëpo redaktorët janë ata që fokusojnë orientimin e temave ndërsa në anën tjetër del edhe një problem tjetër që lidhet me praktikantët, ku nuk mund të inkurajohen gazetarët e rinj për të vazhduar karrierën pasi që pothuajse punojnë për pesë-gjashtë muaj si praktikante dhe vetëm më pas u dhurohet një pagë minimale”, tha mes të tjerash Çollaku.

Në mesin e shumë problemeve dhe sfidave në të cilat kalojnë gazetarët Çollaku po ashtu theksoi edhe mungesën e sindikatave për të trajtuar problemet e gazetarëve, përveç dy sindikatave në kuadër të RTK-së. Ndërsa lidhur sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, ai po ashtu theksoi edhe mosndëshkueshmerinë e rasteve nga gjykatat.

Igballe Rexhaj e cila profesionin e gazetarisë e kishte ushtruar gjatë kohës së represionit serb, e ndihet me fat që ka qenë raportuese në atë kohë pasi që thotë e ka arritur t’i shërbej publikut edhe duke raportuar shpesh mes plumbash, e përndjekjeve të policisë.
“Mendoj që kohën kur unë kam punuar kam hyrë në “Rilindja” në vitin 1987, pra e kam përjetuar edhe periudhën para viteve të 90’ta dhe më pas edhe gjatë periudhës represive. Për mua ka qenë fat që të punoj në atë kohë sepse kam pasur mundësi që të jem afër popullit tim dhe të jem afër ngjarjeve që ndodhnin në atë kohë. Kudo që ka ndodhur diçka kam qenë pjesë e atyre ngjarjeve, madje nuk më ka munguar as edhe guximi të raportoj mes plumbave dhe në përndjekje të policisë sepse e ke ndjerë edhe obligim ndaj popullit tënd”, tha Rexhaj gjatë këtij diskutimi.

Ndërsa redaktorja SerbezeHaxhiaj thotë se problemet me të cilat përballën gazetaria kanë bërë që gazetarët sot të paraqiten më shumë si “shërbyes medial”. “Numri i sulmeve, mendoj që nuk është matës i mirë dhe sot gazetarët nëse nuk vriten në mënyrë klasike, ata shtypen çdo ditë në mënyrën më mizore, shpesh përmes personave të tjerë që në shikim të parë janë të padukshme por që ndikojnë në raportimin dhe frymën e përgjithshme të lirisë”, ka thënë Haxhiaj gjatë këtij diskutimi.

I gjithë ky projekt u shënua në kuadër tëgjashtëmbëdhjetëditëve të aktivizimit kundër dhunës, ndërsa projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Kosovë. /KultPlus.com

Të ngjajshme