Rrëfimi frymëzues i regjisores kosovare e cila luftoi me leukeminë

22 Shtator, 2018 - 2:02 pm

Që nga muaji mars i këtij viti ajo është ballafaquar me një sëmundje aspak të lehtë, por Arlinda Morina, regjisore filmash, për asnjë moment nuk është dorëzuar.

Artistja që të gjithë e njohim me emrin Liki e që karakterizohet për energjinë dhe talentin e dashurinë ndaj filmit, artit në përgjithësi, ka vuajtur nga sëmundja e leukemisë (leukemia plasma cell).

“Lajmin për llojin e sëmundjes fillimisht ma kanë fshehur familjarët, sigurisht nga frika se si do të reagoj. Por unë si regjisore që jam, në baza të lojës që u luajke ndaj meje kuptova që kisha diçka të rëndë si sëmundje.

Me konsultimin mes vete, shoqëria dhe familja vendosën të më tregojnë, ndërsa vendosën që këtë ta bëjnë përmes vëllait tim të madh, i cili ofrohet e më zë të butë më thotë:

Nuk e ke sëmundjen e lehtë, është pak më shumë se grip. E shikova dhe asgjë nuk i thashë. Ai më tregoi se kisha leukeminë, për një moment çdo gjë në shikimin dhe dëgjimin tim filloi të jetë më e ngadaltë. Ai tutje më tha se duhet të trajtojmë me kimioterapi. Ndërsa unë mora forcën dhe ia ktheva: A kemi kushte për këtë terapi, ai më tha po me plot siguri. Unë ja dhashë dorën dhe i premtova që do ta përballoj kimioterapinë. Thjeshtë fillova ta marr me ‘humor’, dhe sëmundjes ia shkurtova emrin, ia lashë ‘LEO’”, rrëfen ajo.

Sëmundja përveç që e ka bërë të fortë shpirtërisht, ia ka ndryshuar edhe jetën. Ndërsa tregon se përkrahja më e madhe për të ka qenë familja e saj.

“Jeta ime ka ndryshuar shumë. I kam larguar gjërat e dëmshmë për mua, nisur nga ushqimi, pijet e deri tek njerëzit. I kam hapur sytë më shumë dhe e jetoj jetën vetëm për vete. Familja ime më ka përkrahur me krejt shpirtin dhe mundësitë materiale. Shoqëria më ka motivuar me çdo fjalë me çdo gjë që ka pasur mundësi. I jam shumë falenderuese që nuk kanë kursyer asgjë për mua”.

Arlinda qysh prej kur e ka kuptuar sëmundjen, nuk e ka fshehur aspak atë, madje ajo çdo ditë në rrjete sociale ndan imazhe e thënie motivuese, shkruan Indeksonline.

“Të keqën fillimisht duhet ta pranosh, ndalesh e thua; unë vuaj nga ky problem. Në momentin që e pranon vjen forca nga brenda trupit tënd që fillon të luftojë. Mesazhi im është se jeta është një lojë që mbaron sikur të gjitha lojërat e tjera, prandaj mundohu të jesh lojtar profesionist që të marrësh një çmim meritor“, thotë ajo.

….

Dhe… Arlinda ia doli. Vetëm para pak orësh ajo ka shkruar: “Analiza e biopsisë me doli mirë s’kam ma LEO më duket e mbyta, faliminderit Zotit, familjes sime, shoqërisë dhe doktorëve e motrave medicionale për kujdesin që më kanë ba, ja dola luftës me Leon.”

Të ngjajshme