Rusia bojkoton çmimet “Oscar”, ndërsa izolimi kulturor po thellohet

27 Shtator, 2022 - 5:00 pm

Rusia nuk do të paraqesë një kandidaturë për kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar të “Oscars” këtë vit.

Në një deklaratë të lëshuar nga Akademia Ruse të hënën (26 shtator) dhe e raportuar nga AFP, thuhet: “Presidiumi i Akademisë së Filmit të Rusisë ka vendosur të mos nominojë një film kombëtar për çmimin Oscar të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit në vitin 2022”, transmeton KultPlus.

Pavel Chukhray, kryetari i komitetit rus të “Oscar”, dha dorëheqjen të martën e kaluar (20 shtator) në shenjë proteste ndaj bojkotit.

Në një letër të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS, ai tha se vendimi për të mos dorëzuar një film në Oscar ishte “ilegal” dhe “i marrë pas shpine [të tij]”. “Udhëheqja e Akademisë vendosi në mënyrë të njëanshme të mos nominojë një film rus për nominimin për Oscar”, tha ai.

Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Rusia ka fituar një herë “Oscar” në 1994 me “Burnt By The Sun” të Nikita Mikhalkov dhe është nominuar gjashtë herë të tjera.

Mikhalkov, i cili drejton Unionin e Kinematografëve Rusë, ka shprehur mbështetjen e tij për presidentin rus Vladimir Putin dhe së fundmi kundërshtoi pjesëmarrjen e vendit në Çmimet e Akademisë.

“Më duket se zgjedhja e një filmi që do të përfaqësojë Rusinë në një vend, i cili aktualisht mohon ekzistencën e Rusisë, thjesht nuk ka kuptim”, tha ai për TASS.

Pak filma të mëdhenj rusë janë shfaqur në qarkun e festivalit këtë vit, megjithëse “Tchaikovsky’s Wife” e Kirill Serebrennikov debutoi në Kanë dhe “Fairytale” e Alexander Sokurov u shfaq premierë në Lokarno.

Nominimet për “Oscar” do të shpallen më 24 janar, ndërsa çmimet do të zhvillohen më 12 mars. /KultPlus.com

Fotografia: Matt Sayles/Invision/AP

Të ngjajshme