Scarlett Johansson thyen rekord historik: Aktorja me fitimet më të larta në historinë e kinemasë

15 Korrik, 2025 - 12:56 pm



Scarlett Johansson ka hyrë zyrtarisht në histori si aktorja kryesore me fitimet më të larta në botë, duke kaluar emra të mëdhenj të Hollivudit si Robert Downey Jr. dhe Samuel L. Jackson.

Ky rekord vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmit të ri “Jurassic World: Rebirth”, ku Johansson interpreton Zora Bennett, një ish-ushtarake e përfshirë në një mision të rrezikshëm në një nga ishujt e fundit të banuar nga dinosaurët. Filmi ka arkëtuar plot 318 milionë dollarë në vetëm gjashtë ditë, duke e katapultuar aktoren në krye të listës së yjeve më fitimprurës të kinemasë.

Me këtë sukses, të ardhurat totale nga biletat për filmat në të cilët Scarlett Johansson ka pasur një rol kryesor ose bashkë-drejtues kanë arritur në 14.8 miliardë dollarë globalisht – një shifër që asnjë aktore tjetër nuk e ka arritur ndonjëherë.

Ky arritje nuk është thjesht çështje numrash, por pasqyrë e karizmës, shkathtësisë dhe talentit të shumëanshëm të Johansson, e cila ka ditur të spikasë në çdo zhanër nga komeditë elegante dhe dramat emocionale, deri te filmat aksion dhe animacionet.

Pjesë e suksesit të saj janë padyshim edhe rolet në universin Marvel, ku ajo u bë ikonike si Black Widow. Por ajo ka shkëlqyer edhe në filma si Sing, Marriage Story, Jojo Rabbit dhe shumë të tjerë.

Një tjetër fakt i jashtëzakonshëm: Johansson ka arritur këtë rekord pas vetëm 36 filmash, krahasuar me 71 projekte të Samuel L. Jackson. Fitimet e saj mesatare bruto për film kalojnë 400 milionë dollarë, një tjetër tregues i ndikimit të saj të jashtëzakonshëm në industrinë e filmit.

Scarlett Johansson nuk është vetëm një yll kinemaje,ajo është tashmë një ikonë historike e ekranit të madh./ KultPlus.com

Të ngjajshme