Së shpejti fillon edicioni i katërt i “Ekrani i Artit”

2 Shtator, 2021 - 4:34 pm

Edicioni i katërt i programit me përzgjedhje filmike “Ekrani i Artit” i organizuar nga Art House, bën bashkë filmin dokumentar mbi artin me atë eksperimental dhe videoartin.

I nisur si një bashkëpunim me festivalin fiorentin “Lo schermo dell’arte”, ky edicion sjell një përzgjedhje nga festivalet e filmit si: Oberhausen International Short Film Festival, In Between Art Film, Protocinema dhe punime në videoart të artistëve shqiptarë.

Nata e hapjes do të organizohet në Teatrin “Migjeni” ndërsa përgjatë netëve në vijim, programi filmik do të shfaqet në oborret e Familjes Hoxha dhe Familjes së Dr. Shirokës, ku një hapësirë e oborreve tipike shkodrane i çelet një publiku dashamirës të filmit.

Të ftuar të këtij edicioni do të jenë balerini Ernald Matoshi i cili do të performojë në natën e hapjes dhe atë përmbyllëse në Teatrin “Migjeni”; Alessandra Galletta, regjisorja e filmit mbi artistin Ettore Spalletti si dhe Cristina Cobianchi që do të bëjë prezantimin e projektit “All Boom Arte”, një botim mbi komunitetin e artistëve të rinj të skenës së artit bashkëkohor.

Ekrani i Artit mbështetet nga Bashkia e Shkodrës dhe Goethe Zentrum Tirana. / KultPlus.com

Të ngjajshme