Seriali ‘Rrushe’ me copëza të dhimbjes nga e kaluara, regjisori Lucaj flet për sezonin e dytë

14 Shtator, 2021 - 12:59 pm

Xhemile Hysenaj

Ashtu siç nuk jemi mësuar të shohim më parë, nën ombrellën e dramës dhe krimit tash e sa kohë ”Rrushe” ka shpalosur një histori të papriturash që publikut kosovar i dhuruan emocione të shumta. Me një kastë të mrekullueshme aktorësh, loja e të cilëve zuri vend shumë shpejt tek adhuruesit e këtij zhanri duke i marrë këta të fundit pas vetes në secilën episodë, drejt një rrugëtimi të mahnitshëm kinematografik, shkruan KultPlus.

Rrushe është serial i zhanrit dramë, krim, me familjen Pirulli si protagonistë kryesor. Familja Pirulli janë një familje e zakonshme nga Prishtina, apo të paktën kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, e bija e familjes, punon si një gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që fillin e kishte në bujari e në mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetën atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarjeje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe i dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.

Në një intervistë për KultPlus, Valter Lucaj, regjisori i këtij seriali tejet të dashur për publikun, tash kur seriali veçse i është afruar përfundimit të sezonit të parë, ka treguar më detajisht për rrugëtimin e ”Rrushe-s”, si dhe për komplet realizimin e këtij sezoni, njëherit edhe sezoni i parë i serialit ”Rrushe”.

Lucaj ka treguar për KultPlus se që nga fillimi i projektit të serialit ”Rrushe” ai dhe ekipi realizues kanë punuar me besim, dashuri dhe përkushtim të madh për këtë projekt të cilin regjisori e konsideron mjaft sfidues. Ai po ashtu ka theksuar se ka kohë që në Kosova është dëshmuar në aspektin kinematografik, për të cilin pohon të jetë një nivel shumë i lartë si në rajon edhe më gjerë, meritë kjo që sipas regjisorit sigurisht se i përket aktorëve dhe regjisorëve kosovarë.

”Shikuesit tanë tani më janë mësuar të shohin krijimtari të shumta cilësore nga trendi botëror, sidomos serialet filmike. Fatkeqësisht, në Kosovë pak i kemi nënvlerësuar shikuesit deri më tani, duke ju servuar gjëra të shpejta dhe jo aq cilësore. Këtë normalisht që e ka diktuar edhe tregu vendor sepse për të krijuar një serial të mirëfillt artistik duhen fonde dhe duke qenë të vetëdijshëm që mënyra e vetme për përkrahjen e projekteve të tilla është nëpërmjet sponsorëve pasi që deri më tani qendra e filmit, televizioni publik dhe disa televizione nacionale nuk e kanë pasur në agjendë që të kenë projekte cilësore të punuara në shqip për publikun kosovar. Ne si Gjirafë jemi munduar që t’i tregojmë publikut tonë që edhe ne mund të prodhojmë seriale të tilla. Prandaj edhe për këtë arsye ndihem shumë i lumtur që këtë avancim e ka bërë Gjirafa dhe se pritshmëritë e mija sa i përket shikueshmërisë duke e ditur se me sa përkushtim dhe energji kemi punuar për këtë projekt, natyrisht që i kam pritur”, ka theksuar regjisori Lucaj për KultPlus.

Për idenë e fillimit të këtij seriali, Lucaj ka treguar se u ka ardhur në shkurt të vitit 2020, pastaj pas takimeve me skenaristin Jeton Kulinxha, me të cilin regjisori ka bashkëpunuar edhe më parë, janë dakorduar të fillojnë punën edhe për këtë projekt. Piloti i serialit i është xhiruar në nëntor të vitit të kaluar, për të cilin regjisori ka treguar se kanë hasur nëpër shumë vështirësi duke pasur parasysh masat anticovid dhe situatën pandemike në tërësi. ”Ishte dashuria dhe përkushtimi që ne kishim ndaj projektit ”Rrushe” që erdhi deri te realizimi i pilotit, i cili na ka ndihmuar sa i përket aspektit të shitjes dhe marrëveshjeve me bashkëpunëtorë të tjerë. Në janar te vitit 2021 kemi vazhduar xhirimet e epizodeve të tjera dhe nuk jemi ndalur deri më tani. Pa pikë dyshimi e them që ”Rrushe” nuk do të ishte kjo që është pa stafin realizues me të cilët kam pasur rast të punoj një kohë të gjatë, pa kastën e aktorëve por edhe pa dashurinë e madhe për punën dhe artin”, shprehet tutje regjisori për KultPlus.

Pavarësisht se Kosova numëron shumë aktorë të talentuar dhe profesionistë, për regjisorin përzgjedhja e kastës nuk ka qenë aspak e lehtë. Ai ka treguar për KultPlus se duke pasur parasysh që në serial ndërthuren shumë lidhje familjare në mes të personazheve, ka bërë që të krijohen edhe vështirësi në përzgjedhjen e tyre. Ndërkaq, regjisori nuk harron të pohojë se për sa i përket aktorëve të këtij serialit ai ndjehet i lumtur dhe i nderuar që i është dhënë mundësia të punojë me këta artistë, që sipas tij, janë aktorët më të mëdhenj të kinematografisë sonë, e në anën tjetër edhe për artistët e rinj të cilët janë paraqitur në këtë serial.

”Seriali si zanafillë lidhet me vuajtjet e popullit tonë në vitet e 90-ta dhe kjo reflekton te pasardhësit, por mendoj që tema e ”Rrushe-s” është universale, që në mënyra të ndryshme prekë çdo gjeneratë. Kemi pasë shumë komente të ndryshme, njëri prej komenteve që më ka lënë përshtypje ka qenë prej një djaloshi të ri, i lindur dhe i rritur jashtë Kosovës, komenti i tij ka qenë që familjarët i kanë folur shumë për Kosovën dhe për atë se çfarë ka ndodhur por ai nuk e ka kuptuar mirë këtë. Pasi që ka pa serialin ”Rrushe” tanimë e ka më të qartë se për çfarë flisnin më saktësisht rrëfimet dhe përjetimet e familjarëve të tij. Thënë shkurt, unë mendoj që ”Rrushe” është një temë universale që përçon te shikuesi emocione dhe ndjenja me të cilat pothuajse të gjithë ballafaqohen në jetë të përditshme, tema këto si dashuria, familja, atdhedashuria, tradhetia e sidomos rolin e gruas në shoqërinë tonë”, deklaron Lucaj për KultPlus

Seriali ndahet në dy periudha kohore që parë nga vështrimi historik i Kosovës, kanë qenë tejet të rëndësishme dhe një temë kaq e ndjeshme për publikun tonë, sigurisht se ka vështirësitë e veta drejt realizimit. Mirëpo, për këtë gjë, regjisori falenderon skenaristin, për të cilin thekson se ka ardhur me një storie që i ka lënë gojëhapur. ”Prej që kemi filluar përgatitjet për ”Rrushe-n”, Jetoni ka ardhur me një storie që na ka lënë gojëhapur. Skenari është shkruar dhe analizuar në çdo detaj, dukë i përcjellur personazhet, raportet mes tyre, mangësitë që munden me u shfaqë rrugës dhe njëkohësisht kemi marrë edhe feedback nga shikuesit. Përpos Jetonit, bashkësekenarsit ka qenë edhe Patrik Lekaj i cili po ashtu ka dhënë një kontribut të madh”, thekson tutje regjisori për KultPlus.

Ndërkaq, sa i pëërket sezonit të dytë të serialit ”Rrushe”, nuk ka akoma ndonjë plan konkret se kur apo se çfarë do të trajtojë, mirëpo regjisori Lucaj ka treguar për KultPlus se pas përfundimit të sezonit të parë do të ulen dhe analizojnë e pastaj edhe të vendosin për rrugëtimin e këtij seriali, për të cilin pohon se kanë opsione të shumta para vetes por akoma asgjë definitive.

Ndërkaq, sa i përket mesazhit që ky serial tenton të përçojë tek shikuesit, Lucaj ka thënë: Rrushe është nje storie universale dhe siç e kemi menduar dhe parë nga komentet e shumta që kemi nga shikuesit, çdo person pavarësisht moshës, nivelit arsimor apo edhe vendit se ku jeton do të gjejë copëza nga perditshmeria, dhimbje nga e kaluara si dhe lidhshmëri me personazhet kryesore.

Ky serial përfshin aktorët si: Doresa Rexha, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Lum Veseli, Ema Koxha, Xhevat Qorraj, Armend Smajli, Eshref Durmishi, Qëndresa Jashari, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Agron Shala, Labinot Raci, Enver Petrovci, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Ermal Sadiku, Adrian Morina, Basri Lushtaku, Semira Latifi, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, Allmir Suhodolli, Adelina Halitjaha, Eden Kastrati, Lurni Krasniqi, Donikë Ahmeti, Berat Pllana, Xhelal Haliti, Artiola Hamdia, Erta Leci, Vjosa Abazi, Shkëlqim Islami, Nexhat Xhokli, Mikel Markaj, Kastriot Saqipi, Gojrat Kqiku dhe Dashuri Rexhepi.

Prodhimi nga Gjirafa Studios ka sjellur këtë serial me regji nga Valter Lucaj, me skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, producente Doresa Rexha, menaxhere e produksionit Adele Gjoka, skenografia nga Enes Sahiti, drejtor i fotografisë Burim Tufa, inxhiner i zërit Gëzim Berisha, muzika nga Samer Agolli, kostumografia nga Bahtije Krasniqi, montazhi dhe ngjyrat nga Kreshnik Shala. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme