Seriali ‘Rrushe’ vjen premierë sonte, një fërgëllimë unike e zhanrit dramë/krim

9 Maj, 2021 - 6:00 pm

Era Berisha

Në një zhanër krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja, nën zgavrën sfiduese e ambicioze të dramës dhe krimit, shpaloset një histori me plot të papritura që do i dhurojnë një kahje tjetër zhvillimit të ngjarjes duke e vendosur kështu kastën e aktorëve të jashtëzakonshëm në një rrugëtim sa argëtues po aq edhe drithërues, me rastin e nisjes së serialit më të ri vendor të titulluar ”Rrushe”, shkruan KultPlus.

Emri i serialit “Rrushe”, vjen nga vetë fakti që është shumë i kapshëm nga publiku ku edhe shumica e njerëzve të paktën një herë gjatë jetës së tyre e kanë thirrur një person të dashur në atë pseudonim. Ndërsa, emri i personazhit kryesor siç është Vesa, e që emrin e saj përkëdhelës ia ka vendosur gjyshi i saj, Faruk Pirulli, i cili njëkohësisht është personi i saj më i dashur, befas do të ndodhi një e papritur që do të ndërrojë kahjen e ngjarjes e për çka edhe do të zbulohet se jo rastësisht emri i serialit ka këtë titull.

Seriali “Rrushe”, është i vendosur në dy periudha kohore që ndërlidhen mes vete, të tashmen dhe fundin e viteve ’90 dhe përfshin familjen Pirulli si protagonistë kryesorë, një familje e zakonshme prishtinase, apo së paku kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, vajza e familjes, punon si gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që gjenezën e kishte në bujari e mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetërat atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.

Puna në serialin “Rrushe” kishte filluar para një viti, në kohën kur të gjithë ndodheshim në karantinë dhe ideja për realizimin ka lindur nga ekipi i ‘Gjirafa Studios’, ku pavarësisht situatës pandemike, produksioni ka ndikuar pozitivisht në mobilizimin, vullnetin dhe dëshirën që stafi të krijojë diçka. Kështu, ata çdo ditë kanë mbajtur mbledhje online duke diskutuar rreth historive së gjithë secilit që i kanë ndodhur përgjatë jetës së tyre.

Përmes këtyre historive të lexuara në njërën nga mbledhjet ku nuk ka munguar humori dhe emocionet që nuk njihnin fund, aktorët kanë njohur njëri-tjetrin më mirë dhe kështu ata kanë vendosur që të takoheshin me novelistin Jeton Kulinxha, të cilit i kishte pëlqyer energjia e ekipit dhe ka filluar të shkruante skenarin së bashku me Patrik Lekaj për realizimin e një projekti të tillë që besohet se do të lë gjurmë në vend. Pas shumë diskutimeve dhe takimeve që kanë ndodhur me Kulinxhin, skenari i episodit të parë ka gjetur vend në një periudhë kohore qysh nga muaji qershor e deri në tetor.

Seriali deri më tani përmban gjithsej dy sezone me nga 10 episode, ku deri më tani janë shkruar rreth 17 episode dhe ekipi gjendet në përfundim të xhirimeve për episodet 6-10. Ndërsa, për ekzistencën e sezoneve të radhës do të vendos publiku i cili mbetet të vulos jetëgjatësinë e këtij seriali.

Për herë të parë në vend ‘Gjirafa’, sjell një veçanti të bukur ku grumbullon një kast të mrekullueshëm, mbi 80 aktorë të cilët përmes serialit do të trajtojnë tema si: krimi, korrupsioni, ndikimi i familjes tek fëmijët, roli i gruas në shoqëri, zhvillimi i karrierës, bullizmi në shkolla dhe më gjerë, tradhtia, çrregullimet mendore e shumë tema tjera për të cilat besohet se do të kenë një ndikim tek audienca.

Ky serial përfshin aktorët si: Doresa Rexha, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Lum Veseli, Ema Koxha, Xhevat Qorraj, Armend Smajli, Eshref Durmishi, Qëndresa Jashari, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Agron Shala, Labinot Raci, Enver Petrovci, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Ermal Sadiku, Adrian Morina, Basri Lushtaku, Semira Latifi, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, Allmir Suhodolli, Adelina Halitjaha, Eden Kastrati, Lurni Krasniqi, Donikë Ahmeti, Berat Pllana, Xhelal Haliti, Artiola Hamdia, Erta Leci, Vjosa Abazi, Shkëlqim Islami, Nexhat Xhokli, Mikel Markaj, Kastriot Saqipi, Gojrat Kqiku dhe Dashuri Rexhepi.

Prodhimi nga Gjirafa Studios sjell këtë serial me regji nga Valter Lucaj, me skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, producente Doresa Rexha, menaxhere e produksionit Adele Gjoka, skenografia nga Enes Sahiti, drejtor i fotografisë Burim Tufa, inxhiner i zërit Gëzim Berisha, muzika nga Samer Agolli, kostumografia nga Bahtije Krasniqi, montazhi dhe ngjyrat nga Kreshnik Shala.

Valter Lucaj, regjisori i këtij serali, ka treguar për KultPlus se para pranimit të skenarit të parë për serialin ”Rrushe”, për shkak të pandemisë ai ndodhej në një periudhë të vështirë me ‘GjirafaStudios’, ku ekipit i ka ndryshuar tërësisht mënyra e të menduarit dhe punuarit.

 “Gjatë gjithë procesit për projektet që ishim duke i zhvilluar në përputhje me rrethanat e reja, në të njëjtën kohë ishim duke u munduar që të vinim deri tek ideja për të sjell diçka më ndryshe, më sfiduese dhe ambicioze. Kur e kemi lexuar dhe diskutuar rrjedhën e historisë së Rrushe-s, së bashku me vizualizim në kokën time, më ka dhuruar emocione por edhe një ndjenjë që seriali do të jetë njëri ndër projektet më të veçanta për mua dhe ashtu po del të jetë”, tha Lucaj.

Regjisori po ashtu ka theksuar se që nga fillimi i prodhimit të serialit, ata kanë pasur qëllime të sakta që të tejkalohet kualiteti ku edhe Kosova si vend të radhitet për prodhime me kualitet të lartë duke u krahasuar jo vetëm me Ballkan por edhe tutje.

 “Mesazhin të cilin e përçojmë me temat e trajtuara në këtë projekt, është që t’i mbledhim aktorët e mirënjohur në një vend duke i dhuruar kështu vlerë audiencës”, thotë Lucaj.

Sipas tij, bashkëpunimi i jashtëm me Gjirafën dhe puna në këtë kompani e ka intriguar regjisorin mjaft shumë duke pasur parasysh risitë që kanë sjell në treg dhe përkushtimin e tyre në fusha të caktuara. Prandaj, duke u bazuar në atë eksperiencë, para dy vjetëve Lucaj i është bashkangjitur ekipit të Gjirafës si producent ekzekutiv dhe regjisor duke realizuar kështu qëllimin e tij për prodhimin e një seriali me këto përmasa.

Regjisori tutje ka theksuar se vështirësitë gjatë procesit kanë qenë të shumta për shkak të projektit sfidues. Ndërkaq, për procesin e punës në tërësi ka thënë se deri tani është shumë i kënaqur me komplet punën ekipore e sidomos për dashurinë dhe vullnetin e tyre, me ç’rast puna është duke shkuar për mrekulli dhe për regjisorin konsiderohet një privilegj që po punon me secilin nga ata.

“Vështirësi ka pasur duke pasur parasysh situatën pandemike, pastaj projekti është sfidues dhe si ekip na ka frikësuar dhe shpesh herë i kemi krijuar vështirësi vetes sepse projekti është ambicioz. Por, vështirësi ka qenë edhe besimi në një projekt të tillë, menaxhimi i një ekipi kaq të madh por gjithsesi ekipi, dashuria dhe vullneti për të krijuar këtë projekt i kanë lehtësuar të gjitha punët”, shpalos regjisori.

Për Lucaj, përzgjedhja e aktorëve nuk ka qenë proces i lehtë sepse seriali ka personazhe të shumta prandaj edhe për disa role të caktuara janë mbajtur audicionet dhe për disa të tjerë janë ftuar aktorët pasi që Kosova nuk është vend i madh dhe nga puna e tij disa vjeçare, ai ka punuar edhe më herët me shumicën prej tyre.

Gjithashtu, ai ka folur edhe rreth provave për këtë serial që trajton tema dhe ngjarje të ndryshme prandaj edhe kasta e aktorëve janë të ndarë në bazë të ngjarjeve dhe provat mbahen në grupe të caktuara, gjithmonë duke pasur parasysh masat e shtruara.

 ”Veçantia më e madhe e ‘Rrushe’, është trajtimi, xhirimi dhe mënyra se si është duke u krijuar seriali me një ekip i cili mundohet të dhuroj gjithçka nga vetja, vetëm e vetëm që ky serial të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Performanca dhe përkushtimi i aktorëve janë një tjetër veçanti sepse është projekti i parë ku këta aktorë janë në një vend”, përfundon Lucaj për KultPlus.

Ndërsa, Doresa Rexha, producentja e këtij seriali dhe njëkohësisht edhe aktore, ka treguar për KultPlus se ‘Rrushe’ është projekti që e ka sfiduar atë më së shumti deri më tani e edhe nga i cili ka mësuar më së shumti.

“Sinqerisht, kur lexova titullin “Rrushe”, e paragjykova paksa, por pasi që e lexova u binda për të 500 herë që libri nuk gjykohet nga kopertina. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë dhe frikësuar deri në palcë”, thotë Rexha.

Sipas saj, duke pasur parasysh përgjegjësinë e madhe brenda ekipit të Gjirafa Video, së bashku me themeluesin e kompanisë Gjirafa, Mërgim Cahani është vendosur kërkimi për profesionistë të duhur për pozita të caktuara ku kështu janë takuar edhe me regjisorin Lucaj.

“Duke e njohur punën e Valterit, përkushtimin dhe pasionin për profesion sigurisht që ai e kishte vendin në ‘Gjirafë’. Pa Valterin si regjisor dhe pa ekipin si Adele, Kiqa, Fisi, Giza, Trashegimi, Patriku, Bled, Edon, Frasher, Bahtie, Driton, Atdhe, Besnik, Leona dhe Jeton nuk do të mundësohej ky serial”, tregon ajo.

Për Rexhën, ka qenë e vështirë menxhaimi si producente dhe aktrimi në xhirime por që dashuria, pasioni, përkushtimi dhe ndihma e regjisorit dhe ekipit, e ka bërë të mundur këtë arritje. Por edhe pse e vështirë, ajo këtë proces e ka cilësuar si njëri ndër më të bukurit që ka përjetuar ndonjëherë.

“Ekipi i GjirafaStudios jo që nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre por i kanë tejkaluar edhe limitet e tyre. Prandaj, ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që po bashkëpunoj më të gjithë aktorët e sidomos me: Xhevat Qorraj, Çun Lajçi, Enver Petrovci dhe Bislim Muçaj”, tregon Rexha për KultPlus.

Krejt në fund, ajo është shprehur se dashuria për profesionin dhe profesionalizmi i tyre janë shkollë për aktorë dhe të gjithë këta aktorë janë vlerë e serialit prandaj ajo ndjehet me fat që i kanë besuar këtij projekti.

Sa i përket aktorëve, dy nga ata si: Afrim Muçaj dhe Aurita Agushi, tashmë janë pjesë e serialit dhe aktualisht ndodhen në përfundim të xhirimeve.

“Ishte ftesa e producentes Doresë Rexha, e cila me prezantimin e projektit “Rrushe” në formën më të mirë të mundshme, nuk më la zgjidhje tjetër pos ti bashkohem këtij produkti ambicioz dhe shumë interesant. Pastaj, pa dyshim që ishte nder për mua ti bashkohem regjisorit Valter Lucaj dhe gjithë kastës fantastike që ka përzgjedhur ai”, thotë Mucaj.

Sipas tij, tema e serialit është njëra ndër pikat më të forta. Trajtimi dhe guximi i një teme të tillë konsiderohet maja e arsyejës që mblodhi këta aktorë ku së bashku me skenarin e mirë, regjisorin dhe produksionin profesional është menduar se ”Rrushe” do të jetë shumë e bukur për publikun.

Roli i aktorit Muçaj është menduar të jetë mjaft interesant dhe atraktiv për publikun duke pasur parasysh që nuk është i lehtë për tu interpretuar.

“Bashkim Pirulli, vëllai i vogël i familjes së madhe Pirulli, të cilin e luaj, është një personazh atdhetari i cili bashkë me “Lëvizjen Qëndresa” në krye me Mixhen Zekë (të cilin e qëndisë aktori Çun Lajçi), mundohemi për disa episode ti ofrojmë publikut pamje të atdhedashurisë dhe kontributit të shumë brezave të viteve të 90-ta, që kontribuuan në mundësinë qe ne sot të xhirojmë të lirë ‘Rrushen”’, tregon ai për KultPlus.

Për Muçaj, si çdo punë serioze dhe profesionale siç është edhe ky produkt, do të haset në pengesa gjatë rrugës por që gjithsesi ata po punojnë me një qejf të madh duke arritur synimin që ky produksion ka.

“Jam shumë i lumtur që po punoj me regjisorin Lucaj sepse energjia e tij e madhe pozitive dhe profesionalizmi ekstre, të fut në përgjegjësi të mëdha”, përfundon Muçaj për KultPlus.

Kurse, për aktoren Aurita Agushi, ftesa për të qenë pjesë e serialit ka ardhur nga vetë regjisori i cili ka punuar edhe më herët me aktoren e për çka ajo nuk ka hezituar as edhe një sekondë që të bëhet pjesë e serialit.

“Që në bisedën e parë shihej qartë se bëhej fjalë për një projekt shumë premtues që do të na bëjë krenarë të gjithëve dhe jo vetëm neve por edhe ata që do e shikojnë serialin”, tregon Agushi.

Sipas saj, kur bëhet fjala për një projekt kaq të madh, vështirësitë nuk mungojnë. Pandemia konsiderohet si vështirësia më e madhe por që me një organizim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm nga ‘Gjirafa’, çdo gjë ka qenë më e lehtë për të.

Agushi do të luaj rolin e Merita Pirullit, bashkëshorte dhe nëna e tre fëmijëve. Merita është një profesoreshë arti e cila përballet me shumë sfida si në jetën personale ashtu edhe ne atë profesionale.

“Seriali është përditshmëria jonë ku secili prej nesh do ta gjejë veten në personazhet dhe skenat e Rrushe-s.  Mesazhi është që secili prej nesh duhet të bëjë pjesën e tij që Kosova të jetë vendi për të cilin të gjithë ëndërrojmë dhe duam ta shohim ashtu siç e ëndërrojmë”, përfundon Agushi për KultPlus.

”Rrushe” është seriali më i ri vendor i cili vjen premierë sonte dhe mund të ndiçet çdo të diel nga ora 20:00 në T7 si dhe online në GjirafaVideo.

Ndërkaq, disa nga pritshmëritë e ekipit janë që ky projekt të mirëpritet nga publiku as më shumë e as më pak nga sa kanë punuar e munduar ata, fillimi dhe krijimi i një projekti ku çdo anëtar të jetë krenar për punën e tij si dhe është cilësuar se ”Rrushe”, është projekti më serioz dhe më i madhi ndonjëherë në të gjitha trevat ku flitet shqip. Prandaj, për “Rrushe“ do të flitet gjithandej./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme