“She asked me where I came from”, historia personale e regjisores shqiptare që ndihej e huaj në Belgjikë

12 Gusht, 2020 - 11:24 am

Suada Qorraj

Fotografitë që shpalosin kujtime, periudha të ndryshme kohore, nga njëri vend në tjetrin, vende sa të huaja, aq edhe të vogla, por mjaftueshëm sa për të krijuar një të kaluar që do mbetet vetëm suvenir në kohë. Kjo është përmbajtja e filmit “She asked me where I came from”, që sjell historinë personale të regjisores Aulona Fetahaj, që filloi të ndihej e huaj në vendin ku jetonte, sepse një nga pesë njerëz nuk pëlqenin refugjatët si ajo, shkruan KultPlus.

Filmi kishte filluar të realizohej si një ide për temën e bachellorit, si dëshirë e  regjisores që tash e sa kohë jetonte në Belgjikë, për të krijuar diçka për vendin e saj, Kosovën. Ajo në një intervistë për KultPlus tregon se nga pamundësia për të udhëtuar për në Kosovë asaj i lindi ideja që të krijoj një film të tillë nga prapa ekranit të saj.

“Nuk kam mundur të shkoj në Kosovë për të filmuar, kështu që u detyrova me mendu se si mund të krijoja diçka për Kosovën nga Belgjika. Si një e huaj në Belgjikë, ishte një pozicion që automatikisht përcaktoi përmbajtjen e filmit. Duke qenë e tillë, mendoj se këtu është formuar edhe forma e narracioni i filmit, nga një distancë (nga prapa ekranit tim) duke parë botën e jashtme ishte në gjendje të reflektoja më mirë për të”, ka deklaruar ajo.

Regjisorja thotë se ajo filloj të ndjehej e huaj në Belgjikë atëherë kur partitë e ekstremit të djathtë tashmë kishin fituar zgjedhjet. Sipas saj përgjigja emocionale kundrejt këtyre zhvillimeve ishte pikërisht përmbajtja e këtij filmi.

“Kur partitë ekstreme të krahut të djathtë në Belgjikë kanë fituar zgjedhjet, filmi mori një kuptim të ri. Sepse papritmas më duhet ta konsideroja veten të huaj edhe këtu. Filmi pastaj u bë një përgjigje emocionale për ato zgjedhje”, vazhdon rrëfimin regjisorja.

Filmit që ju deshën një vit e gjysmë që të përfundonte plotësisht, që në fillimet e tij nuk ishte menduar të ishte kaq personal, por kjo ndodhi në mënyrë automatike gjatë procesit të realizimit sepse u konsiderua si reflektim për pozicionin e regjisores ndaj Belgjikës.

Regjisorja përgjatë këtij filmi e thekson se ata që “vinin në rend të parë njerëzit e tyre” kanë filluar të tundin themelet e ndërtesës që prindërit e saj për një kohë të gjatë ishin përpjekur që ta kthenin në një shtëpi.

Aulona Fetahaj nuk ka lënë pa përmendur edhe vështirësitë që ka hasur gjatë realizimit të këtij dokumentari. Ajo e konsideronte aq personale përmbajtjen e këtij filmi me mendimet dhe situatat, sa që e kishte të vështirë t’i vije një përfundim.

“Pjesa më e madhe e filmit erdhi vetvetiu. Vetë filmi diktoi një formë dhe narrativitet që duhej të ndiqja. Por pata shumë telashe për ta përfunduar filmin. Sepse ishte kaq personal dhe sepse qëndrimi im për filmin dhe e gjithë situata ndryshonte çdo ditë. Por unë mendoj se në fund kam qenë në gjendje të arrij në një lloj përfundimi ose përfundimi për të cilin jam e kënaqur”, ka thënë ajo.

Fetahaj është shprehur e befasuar me talentin që ka parë në Kosovë, sipas saj nga ky talent që ka parë tashmë ka zbuluar një ton të ri të filmave që do t’i shërbejnë për të ardhmen.

Krejt për fund, Aulona shprehet e lumtur me pjesëmarrjen e saj në Dokufest, por ajo shpreson që udhëtimi i këtij dokumentari të vazhdoj në formën fizike. Ajo tashmë ka filluar përgatitjet për një film tjetër, realizimi i të cilit do të bëhet vitin e ardhshëm në Prizren. / KultPlus.com

Të ngjajshme