займ на карту онлайн потребительский кредит

‘Shija e derrit’ premierë në Prifest, shpalos ballafaqimin me varfërinë e luftën për mbijetesë

23 Tetor, 2020 - 10:26 pm

Medina Pasoma

Deti mbetet çlirim shpirëtor për shumicën, ndërkaq për personazhin e filmit ‘’Shija e derrit’’, kjo kaltërsi fillimisht ka qenë një ‘’fushë betejë’’ në tentim të mbijetesës, dikur u kthye në ‘’fushën’’ e cila ia morri jetën. Përpjekjet e një familjeje për ta ballafaquar varfërinë pasqyrohen në këtë film nën skenarin dhe regjinë e Elvis Lule, i cili sonte u shfaq në edicionin e 12-të të PriFestit, shkruan KultPlus.

Brenda pak minutave ‘’Shija e derrit’’ pasqyron realitetin me të cilin përballen shumë familje nëpër botë, për ta dëshmuar se arti është gjuha rreth të cilit trajtohen dhe skenohen problemet globalisht. Personazhi kryesor zhytet në thellësi të detit, në mënyrë që të ngritet nga problemet e varfërisë.  Ai del para syve të publikut si një person që noton çdo ditë, duke kërkuar gjallesa të detit për t’i shitur dhe për të sjellur pak ushqim në shtëpi, e cila më vonë do të kthehej në gëzim të gruas dhe të djalit të tij. Mirëpo siç ndodh rëndom të ketë fatkeqësi edhe brenda fatit njerëzor, pikërisht nga deti prej të cilit ai nxorri bukën, fitoi përballjen me vdekjen, duke u ngulfatur.

Në intervistën për KultPlus, Elvis Lule si regjisor dhe skenarist i këtij filmi është shprehur se mbetet kënaqësi pjesëmarrja në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, gjegjësisht takimi me publikun kosovar nëpërmjet artit.

Shpesh për t’u inspiruar mjafton të sodisim gjërat përreth nesh dhe pikërisht e tillë është historia e fillimit të filmit ‘’Shija e derrit’’, e cila ka lindur si ide në kontaktin e Elvis Lules me një fotografi.

‘’Frymëzimi parësor për të shkruajtur këtë skenar erdhi nga një foto e vjetër e shkrepur rreth vitit 1940, në një fshat bregdetar të Vlorës ku në imazh ishin të fiksuar një familje e përbërë nga nëna, babai, një djal i vogël dhe një derr i cili qëndronte ngjitur me djalin’’, u shpreh regjisori Lule për KultPlus/

Ajo që mbetet interesante përtej rrëfimit të filmit është edhe emërtimi i tij. ‘’Shija e derrit’’ ka ardhur si shkak i dashurisë së Lules për kafshët, të cilat kujdeset t’i përfshijë në çdo skenar.

‘’Në rastin konkret mendoj që pjesëmarrja e derrit në formën simbolike sjell si kombinim fatin e keq dhe momentin e gabuar i cili e dërgon personazhin kryesor drejtë një procesi fatal. Sa për titullin e filmit ai lindi natyrshem që në fillim’’, tha Elvis Lule, duke potencuar se çdo skenar e titullon në nisje të rrugëtimit të tij

Aktorët të cilët sollën rrëfimin e Lules ishin Lulëzim Zeqja, Arta Selimi, Artan Islami dhe Juri Zeneli

Fundi i filmave përgjithësisht është pika kulminante dhe emocionale, ajo që edhe e veçon secilin nga njëri tjetri. ‘’Shija e derrit’’ e përmbush këtë pikë, duke e bërë personin i cili tenton të mbijetoj, mos të jetoj më, teksa atij skenaristi ia shkruan vdekjen. Mesazhi që Lule thotë se përqohet nëpërmjet këtij filmi është se fati është ajo çfarë ne zgjedhim të bëjmë dhe jo ajo që na shtyejnë ta bëjmë.

Ky film i metrazhit të shkurtë është një bashkëpunim mes Element Studios, Kube Studios dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme