Shpalimi i “Kujtimeve të mbuluara”

11 Qershor, 2025 - 1:00 pm

Shkruan: Afrim Demiri

Muzeu i Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit, ka muaj që është shndërruar në një amfiteatër, ku nëpërmjet veprave artistike po shpalosen aspekte të kujtesës kolektive historike të golgotës shqiptare. Është OJQ “Molla e kuqe”, që me qëllim të funksionalizimit të Burgut të idealit, po sjell vepra të artistëve në të cilat shpërfaqen fatet e dhembshme të njerëzve tanë.

Mbrëmë në prag të Ditës së çlirimit të Prishtinës, në shetitoren e ish-burgut u shfaq filmi dokumentar „Kujtimi i mbuluar“ i autores Ariana Krasniqi.

Ky film përmblidhte disa nga rrëfimet e të mbijetuarve të luftës së fundit në Kosovës. Autorja Krasniqi, para shumë të pranishmëve, sqaroi se përmes një qasjeje plurodisiplinare, ku ishin gërshetuar dokumentarja me performancën artistike si dhe dizajni i veshjeve të viktimave, ka dashtë të shpaloste kujtimet dhe dhimbjet, për humbjen e më të dashurëve dhe për përvojat tragjike të disa prej dëshmitarëve të kohës.

Veshjet, që ishin ekspozuar nëpër çelitë e burgut ishin punuar mbi motivet e këtyre rrëfimeve. Ato njëkohësisht shërbenin simbolikisht si material për ekspozitën dhe krahas kësaj ishin edhe material dokumentar filmik.

Rrëfimet e pesë personazheve, të cilët kishin përjetuar luftën në fshatrat Hallaq, Marevc, Grashticë, Kolovicë sillnin pamjet e dëbimeve, të torturimeve, plaçkitjeve si dhe të pushkatime në masë nga forcat policore serbe. Rrëfimet autentike në filmin “Kujtimi i mbuluar” , ishin rrëfime të njerëzve që i kanë mbijetuar dhunës serbe. Idriz Govori, Filloreta Vitia, Kumrije Veliu, Fidan Ismajlit, Dardan Veliut me plot emocione dhe ngashërime, rikthenin pamjet e dhembshme, të veprimeve antinjerëzore të forcave serbe të shkaktuara ndaj popullatës civile shqiptare, në prill të vitit 1999.

Dokumentarja dhe artistikja shprehnin përballjen e njerëzve të thjeshtë me vdekjen dhe zhveshnin synimet dhe veprimet e liga të forcave serbe për të vrarë të pafajshmit, të pafuqishmit.

Autorja Ariana Krasniqi ka studiuar për Fashion Design në Düsseldorf. Angazhimin e saj profesional e ka vazhduar kryesisht në vendet skandinave, si Malmö dhe Kopenhagë. Është aktive në ngjarjet ndërkombëtare të modës dhe me koleksionet e saj ka pasur mundësi të ekspozojë në disa prej eventeve të njohura të industrisë së modës në Paris, Kopenhagë, Aachen dhe Prishtinë.

Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim ndërmjet OJQ “Molla e Kuqe” dhe autores Ariana Krasniqi./ KultPlus.com

Të ngjajshme