10 Qershor, 2025 - 7:11 pm
Aktori i njohur kosovar Afrim Muçaj është shpërblyer me çmimin prestigjioz “Aktori më i mirë” në edicionin e 15-të të SEE Film Festival, i cili u mbajt në Paris, shkruan KultPlus.
Muçaj mori këtë vlerësim për rolin e tij kryesor në filmin “Everybody Calls Redjo”, një prodhim i cili po tërheq edhe vëmendjen ndërkombëtare.
Pas këtij çmimi, Afrim Muçaj, tha për KultPlus se ndjehet shumë i lumtur dhe i nderuar me këtë vlerësim.
“Jam i lumtur dhe thellësisht i nderuar që roli im në filmin ‘Everybody Calls Redjo’ është vlerësuar me çmimin ‘Aktori më i mirë’ në edicionin e 15-të të SEE Film Festival 2025, që u mbajt në Paris”, theksoi Muçaj.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e punës ekipore dhe dedikimit që qëndron pas këtij filmi.
“Ky çmim është një moment i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe një mirënjohje për punën e palodhur të gjithë ekipit që qëndron pas këtij filmi në krye me Ibron”, tha ai teksa shtoi se momente si ky të kujtojnë pse ia vlen të mos heqësh dorë kurrë.
Ai më tutje e përshkroi çmimin si një shtysë për të vazhduar rrugëtimin artistik me më shumë përkushtim.
“Ky çmim është edhe një nxitje për të vijuar rrugëtimin tim artistik me përgjegjësi, përkushtim dhe dashuri ndaj këtij profesioni. E ndaj këtë sukses me publikun, me kolegët e mi dhe me të gjithë ata që besuan dhe vazhdojnë të besojnë në punën time. Çdo rol është një rrugëtim i brendshëm dhe ky çmim është një stacion i bukur në këtë udhëtim të gjatë por fantastik”, përfundoi Muçaj për KultPlus.
Ndërkaq, filmi “Everybody Calls Redjo” është një dramë sociale e ndërtuar rreth jetës së një të riu që lufton me paragjykimet, vetëpranimin dhe raportet familjare në një mjedis të ngarkuar emocionalisht.
Roli i Redjos, i interpretuar nga Afrim Muçaj, është një portretizim kompleks i një individi që përpiqet të gjejë vendin e vet në një shoqëri që shpesh refuzon të kuptojë ndjeshmërinë dhe dallueshmërinë.
Me regji nga Ibër Deari, në filmi “Everybody Calls Redjo” luajnë edhe aktorër Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj. / KultPlus.com