Shyti: Jemi në anën e aktorëve, por nuk lejojmë ultimatume!

24 Tetor, 2017 - 9:01 pm

Jehona Shyti, shefe e kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ka deklaruar për emisionin “Express”, se me prioritet janë duke e trajtuar kërkesën e aktorëve rezidentë të TKK-së për rritje të pagave.

Shyti, duke komentuar kërkesën e aktorëve rezidentë se pagat e tyre duhet të jenë në nivel me ato të profesorëve universitarë, shtoi se një kërkesë e tillë nuk mund të realizohet, mirëpo ngritje e pagave do të bëhet në bazë të mundësive të buxhetit të Ministrisë së Kulturës.

“Ministri Gashi, pas takimit me anëtarët e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, është shprehur se kërkesa e tyre për ngritje të pagave është legjitime dhe do të koordinohemi për rritjen e tyre. Duhet shikuar buxhetin se sa lejon që të realizohet një çështje e tillë, por jo sa kërkojnë aktorët rezident”, ka thënë ajo.

Aktorët rezidentë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, i kanë dhënë ultimatum Ministrisë së Kulturës, se nëse kërkesa e tyre nuk realizohet deri këtë të premte, atëherë do ta anulojnë repertorin artistik të TKK-së.

“I ftojmë mos të bëjnë presione të panevojshme, kjo çështje duhet zgjidhur përmes dialogut edhe është e padrejtë të merren masa të tilla nga ana e aktorëve rezident. Nuk e kemi ndërmend t’i nënshtrohemi presionit, mirëpo jemi pro kërkesës së tyre. Pa dashur që të nënvlerësohet puna e askujt, por një nga problemet kryesore është zgjidhja e statusit të aktorëve”, ka deklaruar Shyti.

Shyti tutje deklaroi se aktorët rezidentë nuk janë shërbyes civilë por marrin paga si kategori e veçantë, duke shtuar se ata meritojnë paga të dinjitetshme.

Të ngjajshme