Si lindi “Squid Game”

29 Tetor, 2021 - 5:00 pm

Sipas dokumenteve të zbuluara, seriali me 9 episode kushtoi 15.5 milionë paund, ose 1.75 milionë paund për 1 episod. Por, fitimet që ka sjellë janë të jashtëzakonshme. Seriali është parë deri tani nga 142 milionë familje, dhe i ka shtuar platformës 4.4 milionë të rinj, dhe në të ardhura kjo përkthehet në 650 milionë paund

Nga Stuart Jeffries

Hwang Dong-hyuk buzëqesh teksa bisedon online me mua nga zyra e tij në Seul. Sapo e kisha pyetur krijuesin e “Squid Game”, serialit të suksesshëm të “Netflix”, nëse suksesi i tij mbresëlënës e ka bërë atë të pasur.

Në dramën distopike të mbijetesës, një organizatë misterioze sfidon 456 lojtarë nga të gjitha sferat e jetës – secili i zhytur në borxhe të mëdha – që të luajnë një sërë lojërash për fëmijë.

Nëse fitojnë, ata kthehen në shtëpi me 4.6 miliardë uon (28 milion paund). Nëse humbasin marrin një plumb në kokë.

Ndoshta tani Hwang është po aq i pasur sa konkurrenti që fiton çmimin e madh? “Unë nuk jam aq i pasur. Por gjithsesi kam mjaftueshëm para për te jetuar normalisht. Dhe nuk është se ‘Netflix’ po më jep ndonjë bonus. Kompania më pagoi sipas kontratës fillestare”- thotë ai.

Kjo duket si diçka e padrejtë. Tek e fundit, regjisori 50-vjeçar nga Koreja e Jugut i ka sjellë qindra milionë dollarë fitime me filmin  e tij. Në fillim të këtij, “Squid Game” e tejkaloi serialin tjetër “Bridgerton”, si shfaqja më e suksesshme e “Netflix”.

Sipas dokumenteve të zbuluara, seriali me 9 episode kushtoi 15.5 milionë paund, ose 1.75 milionë paund për 1 episod. Por fitimet që ka sjellë janë të jashtëzakonshme. Seriali është parë deri tani nga 142 milionë familje, dhe i ka shtuar platformës 4.4 milionë të rinj, dhe në të ardhura kjo përkthehet në 650 milionë paund.

Ndoshta Hwang duhet të kishte negociuar një klauzolë lidhur me performancën, sidomos pasi skenari dhe realizmi i tij i shkaktoi aq shumë stres, saqë humbi 6 dhëmbë gjatë xhirimeve. “Ishte shumë e lodhshme fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht. Unë vazhdoja të kisha ide të reja dhe të rishikoja episodet, edhe gjatë kohës që filmonim. Ndaj volumi i punës u shumëfishua”- kujton ai.

Ideja për serialin “Squid Game” lindi nga situata familjare e vetë Hwang në vitin 2009, pas krizës globale financiare që goditi rëndë vendin e tij. “Në atë kisha shumë probleme financiare, pasi nëna ime doli në pension nga kompania ku punonte. Po punoja për një film të ri, por nuk arrita të gjeja financim. Kështu mbeta pa punë përreth një vit. Nëna, unë dhe gjyshja u detyruam të merrnim kredi për t’ia dalë”- thotë Dong-hyuk.

Në atë kohë Hwang u përpoq të gjente ngushëllim në kafenetë e Seulit, ku klientët mund të lexojnë libra komikë me ilustrime. “Aty lexova “Battle Royal” and “Liar Game”, dhe histori të tjera me lojërat e mbijetesës. U lidha shumë me personazhet e tyre, të cilët ishin të dëshpëruar për para dhe sukses. Ajo ishte pika më e ulët e jetës time.

Pyesja veten:Në rast se do të kishte në realitet lojëra të tilla mbijetese, a do t’u bashkohesha edhe unë për të fituar para për familjen time? Duke qenë kineast e kuptova se mund të përdorja përvojën time personale në këto lloj tregimesh, ndaj nisa të shkruaj skenarin.”

Ai vizatoi fillimisht një version të lojës që luante kur ishte fëmijë, të quajtur “Loja e kallamarit”, e quajtur kështu sipas formave të ndryshme të trupit të kallamarit që vizatoheshin në çdo fushë ku luhej ajo.

“Unë kam shumë i aftë në këtë lojë. Që ta fitosh atë duhet të përpiqesh shumë”- thotë Hwang.

Në lojën e parë të serialit, të 456 garuesit mund të lëvizin vetëm kur nuk shihen nga fytyra e një kukulle gjigante të mekanizuar. Ata që kapen, masakrohen për vdekje nga armë automatike.

Po pse Hwang krijoi një garë aq brutale, ku jeta njerëzore është kaq e lirë?. “Pasi filmi motivohet nga një ide e thjeshtë. Ne luftojmë për jetën tonë në rrethana shumë të pabarabarta”- thekson ai. A mos është kjo një kritikë e fortë ndaj kapitalizmit?

“Nuk është një kritikë e fortë! Është një kritikë elementare! Unë besoj se rendi i përgjithshëm ekonomik global është i pabarabartë, dhe se rreth 90 për qind e njerëzve besojnë se ai është e padrejtë. Gjatë pandemisë, vendet më të varfra nuk po munden që t’i vaksinojnë njerëzit e tyre. Ata po infektohen në masë nga virusi, dhe madje po vdesin. Ndaj unë u përpoqa të përcjell një mesazh për kapitalizmin modern”- shprehet regjisori koreano-jugor.

Por a nuk ka një kontradiktë. Pa para nga një korporatë ndërkombëtare, dmth. Netflix, kritika juaj ndaj kapitalizmit global nuk do të ishte parë kurrë nga të tjerët? Hwang qesh dhe më thotë: “Oh, ju po ngrini pyetje shumë të thella! Po, “Netflix” është një korporatë globale, por nuk mendoj se është ajo që po i përkeqëson pabarazitë.

Nuk mendoj se këtu ka ndonjë kontradiktë. Kur punoja për këtë film, synimi ishte të renditesha në vendin e parë të prodhimeve të “Netflix” në SHBA për të paktën një ditë. Por rezultoi të ishte shumë më i suksesshëm, shfaqja më e ndjekur deri tani në “Netflix”. Kjo është shumë e habitshme, dhe tregon se audienca globale po rezonon me mesazhin që doja të përçoja”.

Një nga garuesit në “Squid Game” është një dezertore nga Koreja e Veriut. “Ata janë ndoshta pakica më e madhe në Korenë e Jugut. Dhe ky numër vetëm sa do të rritet. Mendoj se shkëmbimi mes dy Koreve do të zgjerohet. Në një moment ne do ta arrijmë ribashkimin. Shpresoj të ndodhë kështu”- thotë Hwang.

Koreja e Veriut nuk ka një qasje shumë dashamirëse ndaj filmit. Sipas faqes propagandistike “Arirang Meari”, seriali i Hwang tregon se Koreja e Jugut është “e infektuar nga rregullat e mbijetesës së më të fortit, korrupsioni dhe imoraliteti”.

Por “Squid Game” nuk është thjesht një tablo e vendit të tij të origjinës. “Unë doja të krijoja diçka që do të bënte jehonë jo vetëm tek koreanët, por në nivel global. Kjo ishte ëndrra ime”- deklaron ai. Në këtë luftë për jetë a vdekje, prishen normat shoqërore, dhe garuesit zhyten në një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve, në të cilën jeta e njeriut është e keqe, brutale dhe e shkurtër.

“Ne po jetojmë në një botë të ‘Lojës së Kallamarit”- thotë Hwang, teksa shton se jo të gjithë personazhet në dramën e tij shqetësohen që të dalin të parët, duke shkelur mbi trupat e humbësve vetëm e vetëm për të fituar para.

Disa shikues janë zhgënjyer me fundin e filmit, kur fituesi merr dy vendime të papritura për familjen dhe paratë e fituara në lojë. Legjenda e basketbollit amerikan LeBron Xhejms, të cilit i pëlqeu në tërësi filmi është shprehur:“Por fundi nuk më pëlqen. Çfarë kuptimi kishte

ai?”.

A e ka gabim Xhejms? “Xhejms është i lezetshëm, dhe mund të thotë çfarë të dojë. Unë e respektoj. I jam shumë mirënjohës që e pa të gjithë serialin. Por nuk do ta ndryshoja fundin e filmit. Ky është fundi im. Nëse ai ka fundin e tij që do ta kënaqte, ndoshta mund ta realizojë vazhdimin e tij. Unë do ta shoh, dhe ndoshta do t’i dërgoj një mesazh duke i thënë:”Më pëlqeu i gjithë filmi yt, përveç fundit”.

Por me siguri ai ka një arsye tjetër për këtë përfundim. Mesa duket ka në plan të vazhdojë serialin, në mënyrë që fituesi të mund të përballet me organizatën sekrete djallëzore që drejton “Squid Game”. Deri tani nuk ka asnjë njoftim, dhe Hwang nuk është i sigurt se do të ketë një sezon të dytë, dhe as se cila do të jetë historia e tij.

“Sigurisht që flitet për këtë, dhe kjo gjë është e pashmangshme pasi ka qenë një sukses i madh. Unë jam duke e menduar këtë. Kam diçka shumë të bukur në mendje, por nuk do ta punoj menjëherë. Ka një film që dua ta realizoj. Jam duke e menduar se çfarë do të bëj më parë. Do të bisedoj me Netflix.”

Ai nuk dëshiron të mbetet i njohur vetëm si krijuesi i “Squid Game”, ndaj po lobon tek “Netflix” për të shfaqur 3 filma që i ka realizuar dekadën e kaluar. Por ai me siguri nuk e ka përjashtuar një vazhdim të serialit, qoftë vetëm për një arsye shumë materiale. “Ka të ngjarë të nis të xhiroj edhe sezonin e dytë, për t’u bërë po aq i pasur sa fituesi i Squid Game”-thotë ai duke qeshur. / bota.al / KultPlus.com

Të ngjajshme