Si u kthye ‘The Black Cauldron’ në një nga dështimet më famëkeqe të Disney-t

9 Gusht, 2025 - 4:15 pm

Filmi ambicioz dhe inovativ i Disney Animation në vitin 1985, “The Black Cauldron”, ishte një eksperiment që dështoi në mënyrë dramatike, duke vendosur në diskutim vetë të ardhmen e studios. Në vitet 1980, Disney Animation po kërkonte një identitet të ri. Pas gjysmë shekulli suksesi, kjo dekadë në historinë e kompanisë njihet zakonisht si “Epoka e Bronzit” ose “Epoka e Errët”.

Shpresa erdhi në formën e “The Black Cauldron”, që dukej si mënyra perfekte për të shpallur një epokë të re në animacionin Disney. Ishte hera e parë që studio hynte në territorin e fantazisë epike, një film me vlerësim PG që fliste për një djalë të ri që përpiqet të ndalojë një kazan magjik që mund të krijojë një ushtri të të vdekurve (skena famëkeqe “Cauldron-Born”, ku një ushtri e të vdekurve ngjallet nga një kazan që zien, është ende e frikshme edhe pas 40 vitesh). Ishte një sinjal se Disney ishte gati t’i fliste një audience të re.

Por, “The Black Cauldron” rezultoi të ishte një dështim për studion. Një fiasko në arkë, fitoi vetëm 21 milionë dollarë (15.6 milionë £), më pak se gjysma e buxhetit prej 44 milionë dollarësh (32.7 milionë £). Në fundjavën e hapjes, u rendit i katërti, pas National Lampoon’s European Vacation, një ripërsëritje e E.T. The Extra-Terrestrial, dhe Back to the Future, i cili tashmë ishte një muaj në kinema. Në kohën kur u publikua, ishte filmi më i shtrenjtë i animuar ndonjëherë.

Në vend që të ishte filmi që do ta çonte Disney-n në lartësi të reja, “The Black Cauldron” mbeti në histori si filmi që për pak sa nuk e shkatërroi kompaninë. Ky perceptim duket se lindi për herë të parë në një artikull të Slate në vitin 2010, ku thuhej se filmi “gati sa e vrau animacionin e Disney-t”. Në vitin 2025, është e vështirë të flasësh për “The Black Cauldron” pa përmendur se thuhet që për pak sa nuk e mbylli departamentin e animacionit. Por, a është ky një pretendim i drejtë, apo thjesht një mit që ka mbijetuar për dekada?

Një gjë është e qartë: The Black Cauldron synonte të ishte një film ndryshe nga çdo tjetër në historinë e Disney-t.
“Ron Miller, ish-CEO i kompanisë dhe dhëndri i Walt Disney-t, donte që filmi të ishte një largim i qëllimshëm,” tregon Neil O’Brien, autor i After Disney: Toil, Trouble, and the Transformation of America’s Favorite Media Company.
“Ai donte që t’i drejtohej një audience adoleshente dhe të rriturish të rinj, dhe punoi qëllimisht që të mos kishte këngë në film që mund të largonin shikuesit adoleshentë.”

“The Black Cauldron” mori vlerësimin PG, një tjetër risi për Disney.
“Sot kjo është diçka standarde, por në atë kohë ishte shumë progresive, duke shtyrë kufijtë se çfarë mund të ishte një film i animuar,” thotë Mindy Johnson, autore e Ink & Paint: The Women of Walt Disney’s Animation.
“Është vërtet i errët. Skena me Cauldron-Born është ndoshta më makabre se gjithçka që kishin bërë më parë,” thotë Dr Sam Summers, lektor i animacionit në Middlesex University.

Por edhe në prapaskenë gjërat po errësoheshin. Një brez i ri animatorësh të diplomuar nga California Institute of the Arts, si Brad Bird dhe John Lasseter (që më vonë do të bëheshin figurat kyçe në Pixar, me The Incredibles dhe Toy Story), kërkonin të sillnin një estetikë të re në studio. Kjo çoi në përplasje me gjeneratën e vjetër, të vendosur për të ruajtur traditat.

“Gjatë zhvillimit të Cauldron, kishte shumë fraksione që konkurronin në studio,” thotë O’Brien.
Atmosfera në studio kaloi nga optimiste në të shqetësuar. Bazuar në një seri me pesë libra nga vitet 1960, “The Chronicles of Prydain” nga Lloyd Alexander, përshtatja e “The Black Cauldron” ishte një sfidë monumentale.
“Ishte një narrativë epike dhe kishte sfida të mëdha për ta përmbledhur në vite zhvillimi,” thotë Johnson.

Filmi shënoi gjithashtu disa risi teknologjike: ishte i pari që përdori animacion kompjuterik, për efektet e kazanit dhe një sferë magjike. Ishte gjithashtu filmi i parë i Disney që nga “Sleeping Beauty” (1959) që realizohej në 70mm, duke i dhënë animatorëve një “kanavacë” më të madhe, por edhe më të kushtueshme. Ata eksperimentuan madje edhe me teknologji si sisteme hologrami për kinematë, që do sillnin në jetë “të vdekurit nga kazani”.

“The Black Cauldron ishte një projekt shumë i madh për një grup të rinjsh,” thotë Johnson. Por ata ishin të uritur për të treguar çfarë dinin.
“Animatori Andreas Deja më ka thënë se ata donin që Cauldron të ishte “Snow White”-i i brezit të tyre.” Disa nga ata që punuan në të, janë sot emra kyç në industri: Tim Burton, Ron Clements, Jill Colbert dhe Kathy Zielinski e nisën karrierën aty.

Pastaj ndodhi një ndryshim i madh në drejtimin e Disney-t. Më 6 shtator 1984, CEO Ron Miller u shkarkua nga bordi dhe, dy javë më vonë, u zëvendësua nga presidenti i Paramount, Michael Eisner. Ai solli ndryshime të mëdha, përfshirë emërimin e Jeffrey Katzenberg si kryetar të Walt Disney Studios.
“Gjërat u bënë më korporative,” thotë Johnson.
“Katzenberg u përfshi në një kohë kur filmi ishte pothuajse gati për publikim në Krishtlindje. Por nuk i pëlqeu ajo që pa dhe e shtyu. Kjo vetëm sa shtoi konfuzionin e asaj periudhe.”

Animacioni nuk ishte përparësi për Katzenberg.
“Filmat me aktorë të gjallë ishin thesari kryesor, dhe atyre u kushtohej më shumë vëmendje. Katzenberg-it iu caktua animacioni, por si një gjë dytësore,” thotë Johnson.

Pas disa shfaqjeve testuese të tmerrshme, ku thuhet se fëmijët dilnin nga salla duke qarë, Katzenberg u shokua.
“Ai mendoi, ‘Nuk mund ta nxjerrim këtë’. Ai nuk mendonte për filmat e frikshëm që kishin ndërtuar trashëgiminë e Disney-t. Mendonte për arkat dhe fitimin,” thotë Summers.

Katzenberg kërkoi prerje drastike, duke hequr 15 minuta nga filmi. Por montazhi në animacion ndodh shumë përpara se të fillojë vetë animimi.
“Çdo kuadër mendohet me kujdes dhe kalon në shumë versione storyboard-esh. Zakonisht e përfundon historinë dhe prerjet që në fazat e para,” thotë O’Brien.

Por Katzenberg u fut vetë në dhomën e montazhit në një fazë shumë të vonë dhe filloi të priste personalisht filmin, duke krijuar tensione të mëdha me animatorët.
“Ai erdhi i freskët, pa përvojë në animacion, dhe filloi të priste vetë filmin, kjo krijoi përçarje në studio,” thotë Summers.

Pas shumë vonesash dhe vështirësish, buxheti i filmit u rrit nga 25 milionë dollarë (18.6 milionë £) në rreth 44 milionë dollarë, më shumë sesa buxheti i gjashtë filmave të mëparshëm të studios së bashku. Por kjo nuk ishte domosdoshmërisht problem.

“Ron Miller e shihte buxhetin e madh si diçka pozitive. Ishte një kohë kur studiot e Hollivudit mburreshin me sa kishin shpenzuar, për të treguar cilësinë,” thotë O’Brien.

Fatkeqësisht, “The Black Cauldron” dështoi. Vlerësimi PG largoi audiencën e re, që ishte baza e Disney-t, dhe historia e komplikuar dhe pritjet e ulëta nga kritika larguan edhe shikuesit më të rritur. Ishte një humbje e madhe financiare. Ndodhën shkarkime nga puna.

“Jo, aspak. Kjo ide doli për herë të parë në vitin 2010,” thotë O’Brien, duke iu referuar artikullit të Slate.
“Nuk gjeta asnjë dëshmi që “The Black Cauldron” për pak sa nuk e vrau studion. Por kjo nuk do të thotë që gjërat nuk ishin seriozisht të pasigurta.”

“Humbi shumë para pikërisht në kohën më të keqe, sepse ishte tamam në atë moment kur drejtuesit e rinj kishin ardhur nga jashtë dhe po i vëzhgonin gjërat nga afër,” thotë Summers. Rezultatet për “The Black Cauldron” ishin aq të dobëta, saqë fitoi më pak se një ripërsëritje e filmit të vitit 1961 “One Hundred and One Dalmatians”, i cili grumbulloi 33 milionë dollarë. Drejtuesit duhej të merrnin në konsideratë nëse prodhimi i animacionit të ri ishte ende i vlefshëm, sidomos kur pjesa tjetër e korporatës Disney po lulëzonte me filmat live-action, shitjen e produkteve dhe parqet tematike.

“Nëse i shikon drejtuesit që ishin aty në atë kohë, ata do të thoshin: ‘Pse na duhet kjo? Pse po hedhim para kot? Ne po fitojmë para me grushte nga ana tjetër. Të fokusohemi aty,’” thotë Johnson.

“Nuk pati mundësi të vriste animacionin, sepse ata do të përfundonin ‘The Great Mouse Detective’,” thotë Summers, duke folur për filmin pasues të Disney Animation pas “The Black Cauldron”, i cili ishte tashmë në zhvillim të avancuar. Ai film pati një performancë shumë më të mirë, duke fituar 25 milionë dollarë në publikimin fillestar me një buxhet prej vetëm 14 milionë dollarësh (10.4 milionë £), duke e rikthyer studion në rrugën e duhur.

“Cauldron ishte një pikë kthese dhe na çoi aty ku jemi sot,” thotë Johnson.

Ekspertët bien dakord se ishte një njeri ai që siguroi vazhdimësinë e Disney Animation: Roy E. Disney, nipi i Walt-it.

“The Black Cauldron” ishte një goditje e madhe për studion. U desh që Roy Disney të hynte në skenë, ta përkrahte dhe të qëndronte i palëkundur në qëndrimin se animacioni është themeli mbi të cilin është ndërtuar kjo kompani,” thotë Johnson.

Dhe këmbëngulja e Roy E. Disney padyshim që dha fryte. Katër vite pas “The Black Cauldron” erdhi “The Little Mermaid” (1989), që nisi epokën e “Rilindjes Disney”, periudha më e suksesshme në aspektin kritik dhe komercial në historinë e Disney-t./BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme