Skenari “Exil” nga Visar Morina nominohet për çmimet gjermane “Lola”

13 Dhjetor, 2017 - 5:44 pm

Një regjisor tanimë i dëshmuar, Visar Morina nuk e ka në plan të ndalet.

Projekti i radhës i regjisorit të “Babait”, filmi që fitoi çmim në Festivalin prestigjioz të filmit Karlovy Vary Film Festival, është skenari “Exil”.

Si i tillë, skenari është nominuar sot për çmimet gjermane “Lola”, një arritje tjetër kjo e regjisorit të njohur kosovar.

“Skenari bën fjalë për një burrë 45 vjeçar i cili punon në një firmë farmaceutike dhe në një moment e krijon ndjenjën që kolegët e tij po tentojnë ta largojnë nga puna” tregon më shumë Visar Morina për KultPlus.
“Filmi ka të bëjë shumë me “bullying” (ngacmimin) ndërsa jam shumë i gëzuar për këtë nominim që na ka ardhur” tregon Morina.

Skenari “Exil” është në mesin e tre skenarëve që janë nominuar për çmimet gjermane të skenarit. Nominimet janë bërë të ditura nga Ministrja e Kulturës – Monika Grutters, ndërsa çmimi final do të jepet me datë 16 shkurt 2018 në kuadër të festivalit Berlinale.

Derisa regjisori dhe skenaristi Morina tregon se synohet që skenari të jetësohet në film vitin tjetër, dhe se një nominim i tillë e lehtëson procesin filmik, skenari është vlerësuar nga juria që ka ardhur në përfundim të nominimit të kësaj tresheje.

BABAI by Visar Morina OFFICIAL TRAILER ENG SUBS from FILMARTI Film on Vimeo.

“Skenari tregon një protagonist ambivalent, i cili në të njëjtën kohë është integruar pozitivisht por gjithmonë ka rrezik nga armiku. Ky është një tekst fantastik mbi paranojën dhe identitetin, surealen dhe të zezën, me nuanca të humorit” thuhet në vlerësimin e jurisë, shkruan KultPlus.

Dy skenarët tjera të nominuara për çmimin janë “Je suis Karl” nga Thomas Wendrich dhe “Nilowsky” nga Torsten Schulz.

Çmimi në fjalë është më prestigjiozi për shkrimtarët dhe skenaristët në Gjermani. Nominimi shpërblehet me 5 mijë euro, ndërsa triumfuesi merr edhe 10 mijë euro. Si shtesë, fituesi i çmimit mund të kërkojë rreth 20 mijë euro për zhvillimin e mëtutjeshëm të skenarit.

Visar Morina është i njohur sidomos për filmin “Babai”, film ky që trajton një raport të çuditshëm të një babai dhe djalit të tij, një dramë kjo që bëri bujë në disa festivale ndërkombëtare të filmit. Në këtë film luajnë Val Maloku, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi e aktorë tjerë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme