Slita e filmit “Citizen Kane”, e shpëtuar nga shkatërrimi, shitet për gati 15 milionë dollarë

18 Korrik, 2025 - 10:50 am

Një rekuizitë kyçe nga skena hapëse e filmit të famshëm “Citizen Kane”, i konsideruar si një nga filmat më të mirë të të gjitha kohërave, është shitur në ankand për 14.75 milionë dollarë.

Slita prej druri “Rosebud”, një nga të paktën tre ekzemplarët e mbijetuar të saj, për një kohë të gjatë mendohej se ishte humbur, derisa iu dhurua regjisorit Joe Dante në vitin 1984, duke e shpëtuar nga shkatërrimi. Ai më pas e përdori slitën si referencë për adhuruesit (të njohur si “Easter egg”) në disa nga filmat që realizoi, përfshirë “Gremlins 2: The New Batch”.

Objekti është tashmë pjesa e dytë më e shtrenjtë e kujtimeve të Hollywood-it e shitur ndonjëherë, të parat janë një palë këpucë të kuqe rubini të përdorura në “The Wizard of Oz” që u shitën për 32 milionë dollarë (23.9 milionë paund) në dhjetor.
“Së bashku me këpucët e rubinit të Dorothyt, slita Rosebud nga “Citizen Kane” është një nga objektet më ikonike në historinë e Hollywood-it,” u shpreh Joe Maddalena, nënkryetar ekzekutiv i Heritage Auctions, përcjellë KulPlus.

Identiteti i blerësit nuk u bë publik. Slita të tjera “Rosebud” të përdorura në film janë shitur në të kaluarën, përfshirë një që i është shitur regjisorit të njohur Steven Spielberg, i cili më vonë e dhuroi për “Muzeun e Akademisë së Arteve të Filmit” në Los Anxhelos.

Megjithatë, versioni i shitur të enjten nuk ishte parë prej shumë vitesh derisa përfundoi në duart e Joe Dante-s. Ai tregoi për Heritage Auctions se ishte duke realizuar filmin “Explorers” në vitin 1984, në të njëjtin studio që dikur ishte pronë e RKO Radio Pictures, kompania që kishte prodhuar “Citizen Kane”.

Dante tha se punonjësit po pastronin disa ambiente magazinimi, kur një prej tyre, që e dinte pasionin e tij për filmat klasikë, e pyeti nëse donte slitën.

“U habita… Duke qenë se jam një adhurues i madh i filmit, i thashë, ‘Po, me kënaqësi do ta marr.’”

“Citizen Kane mund të jetë filmi më i madh që është bërë ndonjëherë, dhe Rosebud është boshti i rrëfimit, zemra e të gjithë fabulës dhe pika qendrore e dramës misterioze në jetën e Kane-it. Si regjisor, të kesh rekuizitën që përfaqëson një element kaq thelbësor të një thesari kinematografik ka një domethënie të veçantë.” – u shpreh Joe Dante./BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme