Sonte ka filluar DokuFest 2020, për herë të parë me edicion online

7 Gusht, 2020 - 10:16 pm

Sonte ka startuar me edicionin e 19-të Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” , edicion ky i cili do të realizohet online, shkruan KultPlus.

Deri para një muaji stafi ishte përgatitur për një edicion, që ishte quajtur hibrid, ku një pjesë e filmave do të shfaqeshin online, e tjetra nëpër kinema. Shpërthimi relativisht i madh i pandemisë në vend ka krijuar rrethana tjera dhe për këtë arsye i tërë festivali është bartur në sferën digjitale.

“Tema e këtij viti TRANSMISIONI në shumë mënyra do të vërë në pah TRANSICIONIN të cilin jemi duke e përjetuar si shoqëri, teksa po e kuptojmë që bota dhe çdo gjë që dimë për të po TRANSFORMOHET shumë shpejt. Andaj këtë vit ju ftojmë të jeni pjesë e një eksperimenti ku përmbajtja e Festivalit do të transmetohet digjitalisht dhe do të zgjerohet përtej kinemave dhe hapësirave të zakonshme të qytetit të Prizrenit. Kësisoj, shpresojmë të transformohemi personalisht dhe kolektivisht përmes mënyrave të reja të të menduarit, të punuarit dhe shpërndarjes”, thuhej në njoftimin e DokuFestit.

Gara e dokumentarëve të Ballkanit, gara e dokumentarëve Ndërkombëtar, gara e filmave të shkurtër, gara e dokumentarëve për të Drejtat e Njeriut, gara e dokumentarëve të mjedisit, E vërteta si dhe gara kombëtare, përbëjnë programin e sivjetmë digjital të DokuFestit.  

Në kategorinë “Ballkan – Dox” anëtarë të jurisë do të jenë Theodore “Teddy” Grouya, Nora Agapi dhe Burak Çevik. Kurse në kategorinë “Int’l – Feature Docs” janë Patrick Bresnan, Rebecca De Pas dhe Greg de Cuir. Kategoria Int’l – short docs” si juri ka Marko Grba Singh, Kaltrina Krasniqin dhe Matt Lloyd.

Kategoria e filmave “Human Right Docs”ka si anëtarë të jurisë ka Pia Hellenthal, Shkëlzen Gashin dhe Rachel Leah Jones. Ndërkaq në kategorinë “Green Docs” anëtarë të jurisë janë Brett Story, Virtyt Gacaferi, Jumana Manna. Kurse në kategorinë “Truth”si anëtarë të jurisë janë përzgjedhur Paul Williams, Wanling Chen, Jason Ryle.

Kategoria e fundit “Internationat Shorts & National” përfshinë jurinë e përbërë nga Ismet Sijarina, Ena Sendijarević, dhe Daniel Ebner. / KultPlus.com

Të ngjajshme