Sonte në Prizren nis DokuFest 2025

1 Gusht, 2025 - 5:23 pm

Sonte, në Prizren nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest”, i cili do të zhvillohet deri më 9 gusht 2025 në disa lokacione të qytetit, shkruan KultPlus.

Edicioni i 24-të i festivalit vjen me temën Lakmi, Pafund Çmendi, Boshllëk, një deklarim i gjendjes shpirtërore dhe politike përmes të cilës reflektohet klima kohore e dominuar nga lufta të vazhdueshme, apatia dhe boshllëku emocional.

Kjo temë nuk është koncept, por një tog fjalësh që pasqyrojnë pafuqinë për të reaguar ndaj padrejtësive dhe për të ruajtur shpresën në një botë të mpirë nga dhuna dhe konsumimi vizual i saj.

Përmes filmave, diskutimeve dhe muzikës, DokuFest 2025 vjen si një protestë e vetëdijshme ndaj harresës, si një thirrje për të mos u shkëputur nga realiteti dhe për t’iu rikthyer gjuhës dhe fjalëve, rëndësisë së të dëgjuarit dhe të treguarit të këtij momenti në historinë tonë të përbashkët. 

Në këtë edicion të festivalit, do të prezantohen 100 filma, në 7 kategori garuese nga 50 shtete të botës. / KultPlus.com

Të ngjajshme