“Spencer”, filmi biografik për Lady D

20 Gusht, 2021 - 8:30 pm

Filmi i shumëpritur “Spencer”, një realizim i regjisorit kilian Pablo Larrain për figurën e Lady Diana-s, do të jetë premierë botërore në Festivalin e 78-të të Filmit në Venecia.

Për ta interpretuar, Kristen Stewart, një aktore që arriti famë globale falë sagës “Twilight”.

“Filmi është një zhytje në projeksionin emocional të Dianës, në një pikë kthese në jetën e saj”, tha ylli amerikan për mediet britanike.

Filmi “biopik” fokusohet në një fundjavë “fatale” në fillim të viteve 1990, kur Diana kaloi Krishtlindjen me familjen mbretërore në Sandringham dhe vendosi që martesa e saj me Princin e Uellsit kishte përfunduar, një episod i raportuar, gjithashtu, në serialin “The Crown”.

“Është një përpjekje zemërthyese për të, në mënyrë që të kthehet tek vetja, sepse Diana përpiqet të ruajë atë që mbiemri i saj, Spencer, do të thotë për të”, shtoi Stewart.

Filmi është shkruar nga Steven Knight, krijuesi i “Peaky Blinders” dhe po xhirohet në BM dhe Gjermani.

Dalja në kinema është planifikuar për vjeshtën e ardhshme, në 2022, 25 vjet pas vdekjes së Dianës.

Grupi i aktorëve përfshin Timothy Spall (“Mr. Turner”), Sally Hawkins (“The Shape of Water”) dhe Sean Harris (“Mission: Impossible”). / atsh / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme