Stavri Shkurti, inxhinieri që u ngjit në panteonin e artit skenik shqiptar, monologu i një ylli që nuk shuhet

5 Gusht, 2025 - 7:00 pm

Nga Albert Vataj

Atje ku skena hesht e dritat fiken, zëri yt ende tingëllon si një lutje e thellë. Mbi dërrasat që panë rrëfimin tënd, në sytë që përjetuan shpërthimin tënd interpretues, mbetet gjurma jote, e përjetshme, e pathyeshme, e denjë për një aktor që nuk interpretoi, por jetoi çdo rol.

Në Selanik, larg Korçës që të lindi, u mbyll një akt, por nisi një përjetësi. Nuk ishe vetëm një aktor i skenës apo i kinemasë, ti ishe një vetëqëndrim i artit, një fije zëri që nuk shuhej, një frymë që ngjizej çdo herë që përkulemi para portreteve të tua. Në ty akti interpretues nuk luhej, por rridhte nga thellësia e shpirtit, si ujë që buron natyrshëm nga një zemër që e donte artin më shumë se vetveten.

Sytë e publikut nuk panë thjesht rolet, por të panë ty, të derdhur në skenë, të ftohtë e të ngrohtë njëherësh, të butë e të zjarrtë, të heshtur dhe të klithshëm. Monolog mes fantastikes dhe reales, kështu të përjetësuan ata që të njohën nga afër dhe ata që të deshën nga larg. Gruaja jote, Florika, ruan kujtimet si gurë të çmuar. Ne, që s’të kemi takuar ndoshta kurrë, të ndjejmë thellë, përmes rolit të Salës, Besimit, Kapllanit, e aq e aq figurave të tjera që ti i veshe me shpirtin tënd të pashtershëm.

Në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, ti nuk ishe një emër mes shumë të tjerëve, ishe themel, shtyllë, ndriçim. Një ndër themeluesit e tij, ti u shfaqe në skenë si zë i gurtë i një brezi që nuk pranoi të luante rolet, por i jetoi ato. Regjisorë si Sokrat Mio, Piro Mani dhe Dhimitër Orgocka panë tek ty jo vetëm aktorin që kishte lindur me dhunti, por njeriun që pa shkollë të lartë aktrimi, arrinte majat e skenës thjesht me fuqinë e shpirtit dhe të pasionit.

Rrugëtimi yt, Stavri, nuk ndaloi në skenën e Korçës. E gjurmoi veten edhe në kinemanë shqiptare, duke u bërë pjesë e filmave të shquar si Tana (1958), Vitet e para (1965), Prita (1968), Mëngjese lufte (1971), Rrugicat që kërkonin diell (1975), Zonja nga qyteti (1976), Ilegalët (1976). Çdo shfaqje e jotja ishte një përjetim, ishe vetë epoka që merrte frymë përmes teje.

Në teatër ti jetove tek “Hijet e natës”, “Këneta”, “Nata e 12-të”, “Martesa e avokatit”, “Zonja nga qyteti”, “Fytyra e dytë”, “Engjëjt e skëterrës”, “Plumbat e shkronjave”, “Karnavalet e Korçës”, “Qyteti i akuzuar”. Skenat e këtyre veprave nuk janë më të njëjtat që prej kur mungon ti, sepse mungon zëri yt i gurgulluar, që vinte jo si fjalë, por si rrufe ndjenjash.

Stavri Shkurti nuk ishte vetëm aktor. Ishte edhe mjeshtër pas kameras, punonjës i pasionuar i Kinostudios “Shqipëria e Re”, piktor, operator, teknik trukesh, i specializuar në Bashkimin Sovjetik dhe Gjermaninë Lindore, ku mori dhe një diplomë si inxhinier. Ky dimension i dyfishtë, i artistit në skenë dhe mjeshtrit në teknikë, e bëri figurën tënde të pakrahasueshme. Ishte fryma jote ajo që ravijëzonte çdo kuadër të filmit dokumentar, çdo imazh që rrëfente jetën e fshatarit, të partizanit, të punëtorit.

Si operator i parë i filmit Dueli i heshtur, ti theve kufijtë e pamundësisë. Në det të hapur, në stuhitë e realitetit shqiptar, kamera jote gjente dritën. Mbi 20 filma artistikë dhe dokumentarë mbajnë firmën tënde të heshtur, por të skalitur në kujtesën e ekranit shqiptar: Kur zbardhi një ditë, Yjet e netëve të gjata, Nga mesi i errësirës, Liri, a vdekje, Qyteti më i ri në botë, Tinguj lufte e deri tek ai që nuk arrite ta shohësh të përfunduar: Kur xhirohej një film.

Në verën e vitit 1998, në Selanik, u mbyll heshturazi një jetë, por u hap një përjetësi. Një mik e përshkroi atë moment si “nënshkrim i fundit stavror në librin e jetës”. Edhe në spital, zëri yt nuk heshti – ishte monologu i fundit, që kapërceu dhimbjen dhe heshtjen, që shënoi jo një fund, por një kthesë drejt amshimit.

Familja jote, Florika, Dionisi dhe Gjergji, të ndoqën në emigracion pas viteve ’90, por kujtimi yt nuk njohu kufi. Korça të përcolli me nderimet që të takonin, të shpalli “Qytetar Nderi”, por më pas ra një heshtje. Një heshtje e çuditshme që më së shumti flet për harresën tonë sesa për mungesën tënde. Florika rrëfen me dhimbje se askush nuk erdhi të pinte një kafe në kujtim tëndin. Dhe më dhimbshme akoma, se varri yt u përdhos, se emri yt prej bronxi u grabit si të ishte thesar,e në fakt ishte.

Ti nuk kërkove asgjë, por i dhe gjithçka teatrit dhe filmit. Ndaj nuk mund të harrohesh. Je pjesë e asaj panteoni artistësh që nuk i ndau arti nga njeriu. Aktor shprehës, me zë që gufonte nga thellësia, me një portret që mbante barrën e epokave, me një përkushtim që nuk kishte të ndalur. Me ty nuk mbeti vetëm një kujtim. Mbeti një frymë, një akt i hapur, që shfaqet sa herë hapet një perde, ndizet një dritë, fillon një film.

Në udhën ku nuk ka më skena, le të mbetemi spektatorë të kujtimit tënd, me duart që duartrokasin zemrën, dhe heshtjen që bëhet poezi. Sepse, për ty jeta ishte veç film. Dhe për ne, film ishte vetë jeta jote./ KultPlus.com

Të ngjajshme