Të jesh e veçantë sikur Tinka Kurti (VIDEO)

8 Gusht, 2017 - 4:56 pm

Tinka Kurti mbetet ndër ato aktore të cilat nuk i janë dorëzuar lehtë ligjit të natyrës.

Aktorja e njohur shqiptare, me një karrierë që shtrihet në më shumë se pesë dekada, gjithmonë ka ditur të mahnitë publikun shqiptar dhe atë ballkanik me rolet e saj.

E lindur në Bosnje, nga një baba shqiptar dhe nënë hungareze, ajo e kaloi një pjesë të mirë të fëmijërisë e rinisë në Shkodër, aty ku edhe ka xhiruar disa filma.

“Nuk i frikësohem plakjes, madje as vdekjes. I frikësohem pleqërisë së trurit, dhe kur të vije ai moment do të jem dyfish e vdekur. Ja pse dua të punoj” thotë Tinka Kurti.

“Bota”, “Etjet e Kosovës”, “Zemra e nënës”, “Si gjithë të tjerët” janë disa prej roleve ndër vite që Tinka i solli me mjeshtërinë që e karakterizon, me karizmën prej një gruaje të fuqishme që mund ta përqafojë secilin skenar që është i denjë për të.

“Jam shumë kritike ndaj vetes për rolet që kam lozur ndër vite, dhe prandaj të thashë dhe pak më lart se nuk i shikoj filmat” pati thënë Tinka në një intervistë të mëhershme të sajën.

Të jesh e veçantë si Tinka Kurti, po, është e vështirë. Ende e gatshme të lexojë libra, të analizojë përreth saj, Tinka Kurti është aktore që nuk e ka secili shtet. Një fshat në Shqipëri, fshati Lekbibaj, ka një shkollë e cila është emëruar me emrin e saj.

“Lexoj shumë, nuk ngopem duke lexuar. Sa herë që ka dhe panaire libri shkoj, madje i falënderoj shumë se dhe na dhurojnë libra” pohon artistja shqiptare e cila ka marrë edhe medalje shtetërore për karrierën e saj.
Dhe ndoshta nuk e keni ditur, por Tinka ishte vetëm 16 vjeçare kur nisi karrierën në teatër, aty ku nuk ka reshtur së shkëlqyeri. Që nga viti 1949 ajo ka luajtur në rreth 120 drama, numër ky i madh në bagazhin artistik të aktores.

Ajo ishte aktore në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë – “Tana”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

Po, të jesh e vecantë si Tinka Kurti është e vështirë, por ajo është një grua e rritur në një frymë plot pozitivitet dhe po këtë virtyt ajo e reflekton edhe sot në moshë më të shtyrë. / KultPlus.com

Të ngjajshme