Të mërkurën, bashkëbisedim me regjisorin Isa Qosja dhe teoricienin Sezgin Boynik

2 Dhjetor, 2019 - 9:05 pm

forumZFD programi në Kosovë në bashkëpunim me Sezgin Boynik (teoricien dhe redaktor) dhe Isa Qosja (regjisor filmi) organizojnë shfaqjen e filmit ‘Rojet e mjegullës’ dhe bashkëbisedimin me Sezgin Boynik dhe Isa Qosja.

‘Rojet e mjegullës’ është film shqiptar i zhanrit dramë i realizuar nga Kosovafilmi në vitin 1987, me regji të Isa Qosja dhe është i bazuar në romanin ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ nga Rexhep Qosja. Filmi ndërthur imazhet dhe realitetin e përvojave të një shkrimtari brenda regjimit totalitar. Në kohën e Titos, kur sistemi policor i Aleksandar Rankoviq ushtronte dhunë ndaj popullatës shqiptare, ky intelektual vuante pasojat e terrorit shtetëror.

Duke marrë filmin ‘Rojet e mjegullës’ si pikënisje, Sezgin Boynik në bashkëbisedim me Isa Qosja do të shqyrtojnë të kaluarën socialiste të shqiptarëve në Kosovë, marrëdhëniet klasore dhe ekonomike, marrëdhëniet socio-politike dhe ndëretnike, etj. Nisur nga ideja se reprezantimet vizuale janë ekspresione të ndërtuara nga narrativat e ndryshme historike, kolektive dhe personale, aktiviteti diskuton mundësitë se si filmi dhe kinemaja mund ta lehtësojë të kuptuarit tonë të konflikteve, ideologjive dhe të historisë politike. Në këtë kontekst, ne duam t’i diskutojmë mënyrat se si kultura vizuale na paraqitet si platformë për bashkëbisedim dhe shqyrtim konstruktiv të temave të vështira, duke tejkaluar limitet etnike, kulturore, shoqërore e politike, dhe si kjo platformë mund të kontribuojë konstruktivisht në ndërtimin e kujtesës së shumanshme kolektive. Gjithashtu, në këtë bashkëbisedim ne synojmë të i ‘lexojmë’ përvojat personale të regjisorit rreth asaj se çfarë nënkuptonte atëbotë të punohej në një film të tillë i cili tregon një histori të vështirë politike për Jugosllavinë.    

Shfaqja e filmit ‘Rojet e mjegullës’ dhe bashkëbisedimi me Isa Qosja dhe Sezgin Boynik do të mbahet me datën 4 dhjetor 2019, në Qendrën Multimedia, Prishtinë, duke filluar nga ora 19.00.

Diskutimi do të zhvillohet në gjuhën shqipe dhe angleze, dhe për këtë do të sigurohet përkthim simultan. / KultPlus.com

Të ngjajshme