Teatrot rajonale mblidhen në festivalin Artmania – rikthehet mania artistike në Gjakovë

26 Nëntor, 2021 - 10:00 pm

Mania artistike në Gjakovë është rikthyer me Festivalin Artmania, i cili po shfaqet për herë të parë ndonjëherë, shkruan KultPlus.

Profesionistët dhe adhuruesit e artit janë mbledhur në një ombrellë për të garuar rreth disa çmimeve që kanë të bëjnë me shfaqjen më të mirë, aktorin më të mirë dhe aktoren më të mirë.

ArtMania përmes jurisë që përbëhet nga regjisori Fatos Berisha, regjisorja Myrvete Kurtishi aktore duajene nga Teatri i Gjakovës dhe Rovena Lule regjisore dhe profesoreshë në akademinë e arteve ne Tiranë do të bëjnë edhe ndarjen e çmimeve.

Më 25 nëntor Teatri i Gjakovës “Ando Zako Çajupi” nisi i pari këtë festival, me shfaqjen “A flasim për Burrat?” me regji të Andeta Radit.

Kjo shfaqje ka të bëjë me tri vajza të cilat përmes interaktivitetit me publikun dhe bisedave mes vete, flasin për burrat e tyre.

Ndërkaq, nesër më 27 nëntor Teatri Kombëtar i Kosovës do të jetë pjesë e këtij festivali me shfaqjen “La Rrem” me regji të Kushtrim Koliqit.

Disa prej shfaqjeve tjera që do të shfaqen ditëve në vazhdim janë “Gratë” me regji të Qendrim Rijanit dhe “Kosovo for Dummies” me regji të Blerta Neziraj.

 “Artmania” ka njoftuar se do të bëjë prezantimin e pesë shfaqjeve teatrale nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Përpos shfaqjeve që do të paraqiten, në agjendë janë të përfshirë edhe ekspozita, muzikë e stand-up comedy.

Ky festival po mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjakovës “Hadiu Shehu” nga trupat profesioniste sipas agjendës së paraqitur. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme