“THE GODFATHER”, një kryevepër e brutalitetit dhe poezisë

20 Mars, 2023 - 7:00 pm

Duke marrë parasysh mjedisin patriarkal në familjen Corleone, të rënduar nga konteksti mafioz dhe periudha historike, nuk na duket se skenari u jep personazheve femra vetëm rolet e grave të nënshtruara dhe pasive. Juristë, gjyqtarë, pedagogë, sociologë e psikologë pyesin veten prej vitesh nëse një film, me një regji që nuk ka asnjë mangësi, me një skenar novator, dhe një kujdes të përsosur ndaj mjedisit historiko-sociologjik, me një kolonë zanore të rafinuar të Nino Rota, pa përmendur mjeshtërinë e madhe të aktorëve, ka të drejtë t’i kthejë atentatorët në heronj “pozitivë”

Për herë të parë mafia po u tregohej njerëzve me një seriozitet historik dhe antropologjik. Për herë të parë aspekti njerëzor i mafiozit e bëri këtë të fundit një hero “pozitiv”. Skenat e dhunës brutale alternoheshin me momente poezie, duke e trazuar psikikën e spektatorit, dhe duke konkurruar me përsosmërinë stilistike. Kjo ishte tronditja që shkaktoi dalja në kinema e filmit “The Godfather” (Kumbari) në vitin 1972 me regjinë e Francis Ford Coppola, dhe skenar të Mario Puzo, bazuar në romanin e njohur me të njëjtin titull, botuar për herë të parë në vitin 1969. Të gjithë e mbajnë mend fillimin e filmit me siçilianin Bonasera (Salvatore Corsitto) që i kërkon Don Vito Corleones (i interpretuar nga një Marlon Brando tejet i zhytur në të thella), për të vrarë 2 të rinj amerikanë, që ishin fajtorë për çnderimin e vajzës së tij. Vito e kundërshton duke i thënë se ai ka qenë gjithmonë asnjanës, se nuk ka pranuar mbrojtje në të kaluarën, dhe tani “ti më kërkon të vras 2 njerëz, dhe nuk më quan as “Kumbar”.

Bonasera e kupton situatën, ulet në gjunjë i puth dorën dhe e thërret “Kumbar”, si një rit besnikërie dhe nënshtrimi. Ajo skenë zhvillohet e gjitha nën dritën e zbehtë të studios së DonVitos, dhe dëshmitarë ishin vetëm bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Në atë ditë të vitit 1946, po kremtohej në kopshtin e madh të shtëpisë dasma e së bijës.

Tonalitetet e gjysmë errësirës në atë skenë justifikohen objektivisht nga drita verbuese e një dite vere që vjen nga jashtë. Por në fakt, Francis Ford Coppola shtoi enkas tonalitet e errëta për arsye semantike. Ai i kërkoi drejtorit të fotografisë, Gordon Willis, të shmangë reflektimin e dritave të brendshme në bebëzat e syve të protagonistëve, për t’i bërë fytyrat e tyre më dramatike, më të ngurta dhe pa emocione. Simpatia e spektatorin për “mafiozin” në filmin “Kumbari” lind kur djali më i vogël i DonVitos, Michael (Al Pacino, që interpreton një vrasës-filozof me fytyrë intelektuali), u rikthye në shtëpi i dekoruar nga lufta dhe u fejua me May (interpretuar nga Diane Keaton), edhe pse nuk kishte lidhje me aferat kriminale të familjes, detyrohet që të marrë pjesë në to. Në fakt Don Vito synonte ta mbante atë “jashtë biznesit familjar. Por kur bie pre e një atentati që gati i mori jetën të kryer nga familjet rivale mafioze në Nju Jork, i riu Michael e gjen veten në qendër të botës së krimit.

Për të gjithçka fillon kur rastësisht shkon në spital për të vizituar të atin, që ishte shtruar atje pas atentatit. Çuditërisht, spitali ishte i shkretë, i gjithë stafi kishte ikur. Infermierët kishin lënë bukën në mes. Në hyrje nuk kishte asnjë polic.

Edhe pse ende jo një mafioz, si një oficer i dekoruar i ushtrisë Michael e kupton, se pacienti është lënë qëllimisht vetëm. Ai i kërkon infermieres së vetme që ndodhej në spital që ta ndihmojë: “Ti e di kush është babai im. Ata po vijnë që ta vrasin. Ju lutem më ndihmoni ta çoj në një dhomë tjetër”. Michael dhe infermierja e shtyjnë shtratin përmes një korridori derisa sa mbërrijnë në një bodrum. Më pas, aty shfaqet një i njohur i babait të tij, luleshitësi i lagjes, që mbante në dorë një buqetë me lule. Michael e dërgon në shkallët e spitalit, përpara derës së përparme të godinës. Pasi e fshehur të atin, Michael i bashkohet luleshitësit duke pozuar si një mafioz. Ai ngre jakën e palltos, dhe e fut dorën në njërën anë të gjoksit, si për të lënë të kuptohet se është i armatosur. Michael bën të njëjtën gjë. Është një leksion i vërtetë regjisure. Pak sekonda më vonë para spitalit mbërrin një krye–mafioz.

Ata i shohin të dy burrat në krye të shkallëve të spitalit. Mendojnë se janë 2 truproja të armatosur, ndaj largohen menjëherë. Kjo skenë është prova e parë e shkëlqyer, në të gjithë trilogjinë (The Godfather II 1974, The Godfather III në vitin 1990), i një sërë skenash të paharrueshme që Al Pacino do t’i sjellë në kujtesën e spektatorit.

Në atë moment shohim metamorfozën e Michael, nga një hero lufte në një vrasës, për të “shpëtuar” jetën e babait të tij, dhe për të “ndëshkuar” policinë e korruptuar: vrasjen në restorant të mafiozit Sollozzo dhe shefit të policisë Mccluskey që kishte miratuar atentatin ndaj Don Vitos, dhe që u përpoq ta eleminonte në spital. Skena, e ndërtuar me një suspansë të atillë që të lë pa frymë, shkakton ende sot shumë emocione. Michael shkon në tualet duke i lënë që të dy në tavolinë, pasi u kontrollua për armë nga Sollozzo. Në tualet, ai kërkon me ankth armën e fshehur. Më pas rikthehet në tryezë. Është shumë i tensionuar. Qëndron në një formë që krijon përshtypjen sikur nuk do të mundet ta realizojë hakmarrjen e tij. Kështu mendon spektatori. Më pas, si një gjarpër që bën sikur është në gjumë, nxjerr befas armën. Në fillim qëllon mbi Sollozzo-n dhe më pas mbi kapitenin e policisë. Që të dy i godet në mes të ballit.

Por Coppola është edhe një mësues poezie. Këtë e shohim tek joshja, sipas traditës në Italianë e Jugut, që i bën Michael Apollonias në Siçili, ku fshihet pas vrasjes së dyfishtë. Apo kortezhi i dasmës, midis shtëpive të qytetit, përgjatë urës së gurtë, një “fjongo e bardhë” pafajësie në mesin e një serie krimesh.

Një rindërtim filologjik i traditave popullore deri në detaje: skena përfundon me kremtimin e ceremonisë së përbetimit në latinisht. Kur bëhen bashkë Coppola dhe Puzo janë të paarritshëm, veçanërisht në shkrirjen e kundërtave të jetës. Besimit të krishterë dhe mëkatit vdekjeprurës; lindjes dhe masakrës; të mirës dhe së keqes; Parajsës dhe Ferrit. Gjatë pagëzimit të nipit, djalit të motrës Connie dhe bashkëshortit të saj Carlo Rizzi (i cili shpesh e rreh atë), Michael ekzekuton të gjithë krerët e tjerë të familjes rivale të Nju Jorkut, duke përfshirë Tession, një ish-besnik të Don Vitos, që më pas i bashkohet bandës rivale. Kohët e fundit, në një artikull të botuar në faqen e internetit të BBC-së, Nicholas Barber, kundërshtoi një shkrim të ekzagjeruar mbi filmin, që sipas tij ishte parë në mënyrë “feministe”, duke argumentuar se “nuk është e saktë të thuhet se gratë injorohen” nga Coppola. Në fakt siç e kujton edhe Barber filmi fillon me historinë e një vajze të çnderuar (vajza e Bonaseras). Unë do të shtoja edhe skena të tjera jo më pak të rëndësishme: nuses së tij të re Apollonia, Michael i kushton kohë duke e mësuar të ngasë makinën (jemi në vitin 1947!).

Po ashtu, Santino mbron motrën e tij kur ajo rrihet nga i shoqi Carlo. Infermierja mund të ikte ose të refuzonte ta ndihmonte Michael të shpëtonte Don Viton. Kay e verbuar nga dashuria për Michael, nuk e sheh se si jetojnë ata njerëz, por do të ndërgjegjësohet në “The GodfatherII”.

Duke marrë parasysh mjedisin patriarkal në familjen Corleone, të rënduar nga konteksti mafioz dhe periudha historike, nuk na duket se skenari u jep personazheve femra vetëm rolet e grave të nënshtruara dhe pasive. Juristë, gjyqtarë, pedagogë, sociologë e psikologë pyesin veten prej vitesh nëse një film, me një regji që nuk ka asnjë mangësi, me një skenar novator, dhe një kujdes të përsosur ndaj mjedisit historiko-sociologjik, me një kolonë zanore të rafinuar të Nino Rota, pa përmendur mjeshtërinë e madhe të aktorëve (Marlon Brando, Al Pacino, Diane Keaton, Robert Duvall, James Caan, Al Lettieri etj), ka të drejtë t’i kthejë atentatorët në heronj “pozitivë”. Për këtë arsye, shikimi i kryeveprave të cilat mund të frymëzojnë admirim tek adoleshentët, edhe në aspektet etike negative, duhet të udhëhiqet nga edukatorë ekspertë. Duke iu shmangur leximit sipërfaqësor dhe imitimeve të lehta emocionale, dhe duke bërë dallimin midis realitetit dhe trillimit, midis ligjit dhe krimit, ai që mbetet është arti i kinemasë. Ashtu si tek “Kumbari”. (konica.al)

Të ngjajshme