‘TIFF’ do të hapë siparin me filmin dokumentar për Ennio Morricone-n

14 Shtator, 2022 - 10:30 pm

Tirana International Film Festival (TIFF) do të nisë me “Ennio”, një film dokumentar i regjisorit Giuseppe Tornatore, kushtuar Ennio Morricones, kompozitorit legjendar të kinematografisë botërore.

“Ennio” është portreti i plotë i kompozitorit më të dashur e më prodhimtar, të shekullit të 20-të, i vlerësuar gjithashtu edhe nga kritika e fitues i dy çmimeve Oscar. Ennio Morricone vjen në 156 minuta, me kompleksitetin e tij, si autori i mbi 500 kolonave zanore, të paharrueshme. Dokumentari i prezantuar në 2021, vjen në TIFF si një premierë kombëtare dhe rrëfen përmes një interviste të gjatë të Tornatores me Maestron, dëshmitë e artistëve dhe regjisorëve, si Bertolucci, Montaldo, Bellocchio, Argento, Taviani, Verdone, Barry Levinson, Roland Joffè, Oliver Stone e Quentin Tarantino.

Tornatore ka sjellë skena fiction por edhe imazhe arkivore. Dokumentari “Ennio” është gjithashtu një hetim që synon të zbulojë atë që dihet pak për Morricone. Ashtu si pasioni i tij për shahun, i cili ndoshta ka lidhje misterioze me muzikën e tij. Por edhe origjina e vërtetë e disa prej intuitave të tij muzikore, siç ndodh për klithmën e kojotës, që sugjeron temën e “The good, the ugly, the bad” apo ajo e përplasjes ritmike të duarve në disa kanaçe nga protestues në rrugët e Romës, të cilën e shfrytëzoi për të sjellë temën e bukur të “Sosenga Pereira”. Një aftësi për shpikje që konfirmohet nga dëshira e vazhdueshme për eksperimentim./ KultPlus.com

Të ngjajshme