Tri mbrëmje me filmin e shkurtër shqiptar në Wil të Zvicrës

28 Tetor, 2019 - 4:00 pm

Një sallë e vogël, por mbase e mjaftueshme për këtë zhanër të kulturës në mërgatë, në natën finale ishte përmbushur deri në karrigen e fundit.

Moderatorja e mbrëmjes së tretë, Yllka Zuzaku, ndjehej më e privilegjuar, sepse në mbrëmjen e saj kishte më shumë shikues në krahasim me dy mbrëmjet e para. Me gjasë edhe filmat ishin mjaft atraktivë, por edhe prania e shefit të misionit të Konsullatës së Kosovës, Sami Kastrati, me përgjegjësen për kulturë pranë konsullatës, Shukrije Ramadanin, bashkë me Shyhrete Kastratin e Besnik Deskun në emër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Republikës së Kosovës që e bënë këtë mbrëmje të jetë edhe më e realizuar.

Organizatorët nga studio „Aktrimi“, për hir të pranisë së madhe të shikuesve, shtuan repertorin e mbrëmjes, nga katër, në pesë filma të shkurtër. Publiku, vërtet ishte sikur i përzgjedhur për mbrëmje të këtilla; qetësia maksimale, por dhe interesimi para e pas shfaqjes e dokumentoi këtë.

Natyrisht, pesë filma brenda një orë e disa minuta, pa asnjë pushim ndërmjet tyre, ishin më shumë se një ngarkesë për përpunimin e temave të këtyre filmave, përmbajtja e të cilëve, kryesisht, lidhej me situatën e rëndë para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, por edhe nga e kaluara e hidhur e shqiptarëve përgjithësisht.

Pos filmit “Darka” të Suela Bakos, që ishte më i relaksuar, të katër filmat tjerë: “Klithma”- Korab Lecaj, “A long way home”- Iber Deari, “Me fal”- Besim Ugzmajli, “The Baby”- Ben Apolloni, ishin me tematikë sfiduese nga periudha e hidhur e luftës së fundit. Dosido, që të katër filmat, të realizuar mirë, për ç’gjë dhe u komplimentuan regjisorët, artistët e producentët, duhet të ishin pjesë e një analize të historisë së dhembshme të përjetuar nga populli shqiptar në trojet e veta.

Meqë salla e improvizuar e filmit ishte e vogël, pjesa debatuese, bashkë me aperon e mbrëmjes, vazhdoi në sallën e restorantit „Lindenhof“ me pronar Drilon Pulën.

Nëse do të futeshin këta filma në garë të publikut, kisha përshtypjen se filmi „Klithma“ zgjoi „mornicat“ më së shumti, ku trajtohej tema e bërjes ose jo publike të grave të përdhunuara në luftën e fundit. Shtjellimi i filmit nxirrte në sipërfaqe realitetin e hidhur me të cilin, edhe sot e kësaj dite, përballet populli shqiptar, përkatësisht burrat e Kosovës. Autori i filmit, sikur kishte lënë hapur mundësinë e vendimit të burrave që të vendosnin t’i ndihmonin gratë e përdhunuara për ta bërë publike këtë realitet të shekullit të 21-të, si armë kundër heqjes së maskës prej „fqinji të mirë“ të okupatorit serb në Kosovë. Megjithatë poshtërimi ishte i papërballueshëm për kryepersonazhin e filmit (Dinin) që ta përdorte këtë realitet si armë bumerangu kundër dhunuesve.

Kujtoj që këto mbrëmje, që pretendohej të ishin pjesë e „Ditëve të Kulturës Shqiptare në Diasporë“, duhet ta kishin shikueshmërinë edhe të komunitetit zviceran, jo vetëm për shkak të bashkëpunimit të ndërsjellë kulturor, por edhe për shkak të prezantimit të realitetit kosovar edhe përmes artit të shtatë.

Natyrisht, pjesa debatuese nuk kaloi pa komplimentet për organizatorët e këtij „filmfesti“, por edhe kritikat dhe dëshirat për prani më të shpeshtë të krijimtarisë artistike e kulturore nga vendi i origjinës.

Aktori dhe moderatori Ramadan Morina për pak çaste la mikrofonin e hapur për diskutuesit respektivë ndër të cilët folën Ridvan Murati, Nevzad Musliu, Isuf Sherifi, Ida Jashari, Xhevdet Kallaba etj.

Pjesa tjetër e aperos u përcoll me këngë të përcjella me kitarë nga Bexhet Sallahu dhe Skender Kelmendi. / KultPlus.com

Të ngjajshme